Koncertet e mira

Koncertet e mira mbahen mend më gjatë se sa ngjarjet tjera kulturore.

Koncertet cilësore janë koncentrat i energjisë që nuk e gjen as në galeritë, as në sallat e teatrove apo kinemave.

…kanë kaluar vite, por sikur dje të kishte qenë koncerti i Peti Smith në Sallën Universale. Kantautore e cila më së shumti asocon me pankun, por dhe piktore e poete, atë natë e mbushi skenën anise dukej ende më thatanike veshur me pallto të predimensionuar. Këngët e preferuara përherë ama përherë tingëllojnë më fuqishëm kur ke fatin ti dëgjosh live. Më kujtohet që duke folur për Shkupin ajo nuk harroi të përmend Nënën Tereze, si dhe nevojën dhe kënaqësinë e të qenit pro-aktiv, pavarësisht pasojave apo rezultateve minore. Pas kësaj kuptohet pasoi “People have the power” dhe në fund hiti tjetër i saj “Because the night” e shkruar bashkë me Brus Springstin; gjithë publiku në këmbë, mandej u fikën dritat, për pak sekonda salla ishte pozitivisht e shtangur dhe ai ishte Momenti që sa herë e dëgjoj këngëtaren më fanitet në kujtesë.

…në po të njëjtën sallë grupi Talking Head’s. Profesionistë në kuptimin e thuktë të fjalës.  Erdhën, kënduan pa “kikse”, shkuan. Veshur në të bardha, me koreografi si sahat, por diçka sikur mungonte në ajër. Kisha përshtypjen se kanë hyrë pak në klimakterium, përveç kur futën emocionet në njërën nga këngët më të njohura “Road To Nowhere”; vetëm atë drithërimë kujtoj nga ajo mbrëmje. Por, edhe kjo ia vlente për paret e fundit dhënë për biletën.

…Sting në Ushçe, Beograd. Nëpër gjysëmterr kalonim grupe-grupe ndër drunj dhe mbi ca si përrenj, deeri tek lëndina e madhe, e stërmbushur, në pritje të bukur…Dy orë intensive me muzikën që ka shënuar kohën rinore kur ndërtonim shijen dhe zbulonim “yjet tona”. Veç kësaj, aty ku me vite pija kafen e mëngjesit shpesh e lëshonin pikërisht Stingun, me të njëjtën rradhitje, kuptohet: kur mbaron njëra këngë tjetra të hyn në vesh pa nisur ende. Hiç nuk m’u bezdis. A bezdiset njeriu nga e bukura!?

…Ishte një pranverë, koncert humanistik ku merrte pjesë edhe pianisti Simon Tërpçevski. Salla e mbushur fund e majë, s’kishte ku tjetër ndaj u ulëm me Barletin mbi shkallët. U stërzgjat programi, djali atëherë tetëvjeç nisi të bezdisej, por në momentin kur doli Tërpçevski dhe pushtoi pasioni, u hesht dhe nuk bëzajti deri në fund. E kuptova atëherë në mënyrën më të drejtpërdrejtë se arti kulmor gjen kollaj rrugët e veta, qoftë dhe deri tek një vogëlush që i afrohej koha për gjumë.

…Janë disa koncerte ku ende nuk kam qenë, por kismet do shkoj, detyrimisht, është vetëm çështje kohe. S’kanë rëndësi kilometrat, as harxhimet se siq e thash muzika memorohet më gjatë se artet tjera, ia vlen.

…Janë disa koncerte ku nuk do mund të shkoj, kushedi sa të dua.

Azra, për shembull.

Por ama

frontmenin e saj Xhoni Shtuliq do ta takoj se s’bën pa e takuar atë.

Një mik ka mikeshën e tij e cila na qenka fqinje me Shtuliqin, në paralagjen e Utrehtit të Holandës.

Takoheshkan tek dyqani i mahallës.

Dhe unë aty do ta pres.

Lajme të ngjashme

Back to top button