Etiologjia e një eksodi

Shkruan: Fitore Haziri 

Pavarësisht të gjithave, eksodi vazhdon nga vendet e Lindjes së Mesme. Zgjidhja e vetme për të mbetur gjallë – ikja. Sikur vlen rregulli i pashkruar, se në fund ata që heqin e vuajnë janë të dobëtit, janë pasoja e shkakut, janë manifestimi klinik i një etiologjie. Dhe me këtë askush nuk merret!

Çdo refugjat, në brendinë e tij e ka hartën e rrugës së kthimit në shtëpi – thjeshtë iu duhet ‘infrastruktura’ e sigurtë e kthimit. Nuk besoj se është më e komplikuar.

Në praktikën mjekësore me termin ‘etiologji’ i referohemi shkaqeve që sjellin deri te një sëmundje apo gjendje e caktuar patologjike. Fjala etiologji e ka prejardhjen nga greqishtja aitiologia që do të thotë: të arsyetohesh ose të japësh arsye përse. Përveç që përdoret në mjekësi, ka përdorim edhe në teoritë filozifike e në mitologji.

Duke mos u ndalë në kuptimësinë gjuhësore të termit, me etiologjinë e eksodit dua t’i referohem krizës momentale globale, të ashtuquajtur kriza e fluksit të refugjatëve, konkretisht etiologjisë – pra shkakut të kësaj krize. Situata që na servohet nga demokracia mediale, ku shifra për numrin aktual të refugjatëve në botë sillet rreth 19 milion, mendja nuk mund të mos shkojë në shkaqet e këtyre pasojave – t’i quajmë.

Është vërtetë numër i madh kur e mendon, jo vetëm në aspektin fizik e kuantitativ të refugjatëve si qenie në lëvizje/ikje nga vendet e tyre, por edhe në aspektin e menaxhimit të përgjithshëm të këtij numri aq të madh njerëzish që i nënshtrohen – le t’i themi burokracisë së rregullativave të rrugëtimit, kalimit të kufijve e arritjes së cakut që është i paracaktuar prej tyre. Pas kësaj, pason vendosja nëpër kampe për ata që janë “me fat”, duke pasë parasysh faktin se shumë prej tyre flenë në stacione trenash e autobusash, në mungesë të akomodimit. Mos të flasim për kushtet nëpër këto kampe! Pjesa më e madhe e këtij numri refugjatësh, janë nga vendet e Lindjes së Mesme, vende të cilat janë në vlug lufte e persekutimi. Gjithandej artikuj e lajme për brutalitetin e policive kufitare, për pazarllëqet e shteteve Evropiane sa i përket përcaktimit të numrit të refugjatëve që janë të gatshme t’i pranojnë ose jo, për varietetet e deklaratave politike që ndërrojnë: disa për dimër e disa për verë. Fillim e mbarim e gjitha çfarë dëgjojmë e lexojmë është brenga se çka do të bëhet me gjithë këta refugjatë, ku do t’i akomodojmë, cili do të jetë statusi i mëtejmë i tyre etj. Akuza gjithandej për vendet e gjirit Persik se i kanë mbyllur dyert për vëllezërit e tyre muslimanë. Si pjesë të llojllojshmërisë së këtyre deklaratave e qëndrimeve politike, padyshim që nuk mund ta lëmë anash atë që po quhet si femra më e fuqishme e botës, kancelarja gjermane pra. Derisa para dy muajsh, një vajzë palestineze me një gjermanishte të pastër i thotë se dëshiron të shkollohet në Gjermani, Angela Merkel zemërftohtë i drejtohet vajzës palestineze se: “Dikush duhet të kthehet!”, ndërsa tani ajo është bërë ngushëllimi i refugjatëve të përvuajtur. Madje ata bëjnë selfie me zonjën e çeliktë, e thërrasin nëna Merkel, e i emërtojnë fëmijët me emrin e saj. Pavarësisht se pendreku nuk iu ndahet atyre në Maqedoni e Hungari. Pavarësisht se brigjeve të detërave të Evropës dalin trupa të pajetë fëmijësh, e flitet për mijëra të tjerë që jetët e tyre i përpiu uji. Pavarësisht të gjithave, eksodi vazhdon nga vendet e Lindjes së Mesme. Zgjidhja e vetme për të mbetur gjallë – ikja. Sikur vlen rregulli i pashkruar, se në fund ata që heqin e vuajnë janë të dobëtit, janë pasoja e shkakut, janë manifestimi klinik i një etiologjie. Dhe me këtë askush nuk merret!

Paralelisht me lajmin mbi njërën prej pasojave të luftërave në Lindjen e Mesme – pra fluksin e refugjatëve, dëgjojmë lajmet mbi një luftë rishtaz në mes të SHBA-ve dhe Rusisë. Si pa të keq thuhet se Siria tashmë është fronti i të mëdhenjve. Në anën tjetër liderë politikanë elitar, pasi shprehin keqardhjen për fatkeqësinë e pasojëbartësve, flasin për armiqësinë e vjetër SHBA-Rusi, për bazën ushtarake që Rusia po krijon në Siri dhe retorika të ngjashme politike. Pazarllëk edhe në ndalimin e luftës, e mos të flasim për normalizimin e gjendjes. Paqevënësit e paqedashësit, përse po hezitojnë vallë?!

Përse askush nuk merret me shkakun, por në vend të kësaj Evropa “dridhet” me pasojën – me fluksin e refugjatëve?

Megjithatë ka kontradikta. Washington post në një artikull të para disa ditëve shkruan për “zemërgjerësinë” e Gjermanisë sa i përket pranimit e akomodimit të refugjatëve me aq mirësi e solidaritet, duke aluduar në shtimin negativ të popullatës gjermane. Prestigjiozja amerikane ka ilustruar përmes një harte interaktive mesataren e moshës së popullsisë në vende të ndryshme të BE-së. Ajo që vihet re është se Gjermania është një ndër vendet me mesataren më të lartë të moshës së popullsisë. Problemi vazhdon të trajtohet prej autoriteteve prej vitesh me stimuj financiarë për çiftet për të pasur sa më shumë fëmijë. Por kjo nuk ka mjaftuar për të zbutur këtë problem demografik, ndaj së fundmi për Gjermaninë duket se zgjidhja janë refugjatët.  Kjo më kujtoi parathënien e librit “Constructive News” të Ulrik Haagerup (që në fakt libri s’ka të bëjë me temën që po flas), autor i së cilës (parathënies) është ish-kancelari gjerman Helmut Schmidt, që në mes të tjerash, në mënyrë eksplicite, thotë kështu: Mungesa e udhëheqjes politike në Perëndim është duke e dobësuar ndikimin global të perëndimit. Kombet europiane nuk e kanë kuptuar se popullsia e botës në shekullin e 20-të është katërfishuar dhe njëkohësisht janë globalizuar gati të gjitha nga 200 shtetet kombëtare. Njëkohësisht popullsitë e gati të gjitha kombeve europiane po mplaken, po ashtu edhe ato të Rusisë dhe Japonisë. Derisa të gjithë europianët së bashku në vitin 1950 përbënin rreth 30% të popullsisë së botës, në vitin 2050 ne do të jemi vetëm 10% të njerëzve të këtij planeti – dhe në fund të shekullit vetëm rreth 7 për qind. Këto shifra tregojnë se integrimi europian nuk po bën hapa përpara – kjo është pasojë e mungesës së udhëheqjes. Konsekuenca logjike është se Kina dhe me gjasë bota myslimane do të marrin udhëheqjen.” Pa dashur të aludoj asgjë sa i përket shqetësimit të ish-kancelarit gjerman, ajo që është shqetësuese është pikërisht trajtimi i çështjes në përgjithësi i paqedashësve dhe paqevënësve të botës në të cilën po jetojmë. Nëse është krize globale e refugjatëve, përveç strehimit të tyre dhe kujdesit – që është imperativ i domosdoshëm, çlirimi i tokave të tyre dhe zgjidhja konkrete e situatës – është imperativ i veçantë dhe ende më i domosdoshëm.

Ne të dobëtit, nuk e kemi fuqinë, mirëpo ne e dijmë se problemi goditet në kokë e jo në bisht. Në shkencën e mjekësisë, sëmundjeve që nuk iu dihet etiologjia, bëhen orvatje të trajtohen me terapi empirike e cila mund të funksionojë ose jo. E atyre që u dihet shkaku, gjysma e punës është e përfunduar.

Djaloshi sirian e tha qartë: “Ndaleni luftën dhe nuk do të vijmë kurrë në Evropë!” Askush më mirë se ne nuk e di se si është të ndjehesh se nuk po përket askund. Ende në thellësitë e mushkërive tona ka grimca bloze të tymit të shtëpive tona të djegura, të plumbave e granatave të hedhura. Imazhet e ikjes, torturës e eksodit janë ende të freskëta. E dimë se çdo të thotë të mos jesh e të mos mund të jetosh në vendin ku përket, të cilin nuk e kemi zgjedhur por ka vendosur tjetërkush të lindemi aty ku kemi lindur. Prandaj sikur bashkëndjejmë më shumë, sepse “i rrëzuemi prej dardhës, ia di të rrëzuemit”.

Çdo refugjat, në brendinë e tij e ka hartën e rrugës së kthimit në shtëpi – thjeshtë iu duhet ‘infrastruktura’ e sigurtë e kthimit. Nuk besoj se është më e komplikuar.

Lajme të ngjashme

Back to top button