Volksvageni dhe vdekja e dizelit

Ngjarja e javës erdhi sikur e porositur për të vërtetuar tezën time të javës së kaluar, që idiotësia njerëzore tejkalon të gjitha kufinjtë e paramenduar përbrenda një matrice edhe të budallallëkut dhe ligështisë “të pranueshëm”. Skandali që plasi me prodhuesin më të madh të veturave në botë, Volksvagenin, me zbulimin e gënjeshtrës së madhe me të cilën ata jo vetëm që kanë rritur profitet por edhe kanë shkaktuar dëme të mëdha ekologjike; mbi të gjitha kanë vënë në dyshim besueshmërinë e një industrie të madhe veturash dizel që mund t’ju paraprijë pasojave të mëdha jo vetëm në ekonominë gjermane por mbarëbotërore. Tërmeti i ardhshëm ekonomik mund të jetë shoku i dizelit, i gazrave serrë. Një shok dhe një krizë e mirëseardhur do të kisha thënë me plot bindje, për të shkundur nga themeli kriminalizimin e profitit dhe pasurimit.

Me rend, in medias res.  Rregullativat amerikane për emisionet e gazrave serrë janë më striktet në botë, megjithëse edhe ato kanë vrima të mëdha. Sipas tyre kompanitë automobilistike që duan të shesin vetura në SHBA (tregu më i madh i botës) duhet të përmbushin disa teste lidhur me sasinë maksimale të emitimit të gazrave të rrezikshme për natyrën: diokside karboni dhe sulfuri dhe okside azoti, që më pastaj nëpërmjet një software të caktuar të kontrollojnë këtë emitim gjatë përdorimit. Në Europë këto teste janë shumë më tolerante, duke ju lejuar kompanive automobilistike të realizojnë vetë testimet në mënyrën në të cilën ato e konsiderojnë më të arsyeshme. Ajo që kompanitë e bëjnë është që gjatë testimit fizikisht të modifikojnë veturat e tyre në mënyrë që të harxhojnë më pak, pra duke mashtruar autoritetet dhe konsumatorët e tyre. Si pasojë e kësaj, është e vërtetuar që veturat që shiten në tregun europjan janë deri 40% më pak efikase në harxhimin e energjisë sesa veturat që shiten në tregun amerikan. Ajo që Volksvagen ka bërë për vite me rradhë është që të mashtrojë software-in që gjatë testimeve rigoroze në SHBA të dijë që është duke u testuar dhe të aktivizojë modelin ekonomik të harxhimit, ndërsa në momentin që del nga salloni i veturave si veturë e shitur të deaktivizojë software e me këtë edhe kontrollimi i emitimeve të gazrave serrë. Pjesë e strategjisë së kompanisë ka qenë që të penetrojë tregun amerikan me “veturat e pastra dizel” dhe për t’u bërë kompania më e madhe botërore në shitjen e veturave duke ia kaluar Toyotas – që nga ana tjetër mban primatin e veturave ekologjike (hibride, elektrike).

Ky skandal morri viktimën e parë, CEO e VV që para disa ditësh dha dorëheqje. Ajo që pritet në javët në vijim është shqiptimi i dënimit që kompania do të marrë nga institucionet rregullatore amerikane; sipas asaj që kam dëgjuar mund të shkojë prej 7 deri në 19 miljardë dollarë. Ndërkaq aksionet e VV kanë rrënë për një të tretën në më pak se një javë. Ajo që do të pasojë – si rrallëherë në historinë e skandaleve të këtilla financiare dhe ekonomike –  është iniciativa për kallëzim penal jo vetëm ndaj Winterkorn, që ishte CEO i VV-së, por edhe ndaj të gjithë menaxherëve të tjerë që kanë qenë të involvuar në këtë mashtrim global. Dëme të hatashme ekonomike dhe financiare për një kompani që mashtroi miliona blerës, shok për ekonomitë e vendeve që akomodojnë VV-në dhe për ata 600 mijë punëtorë të kompanisë. Por ajo që është rrënuar më së shumti është imazhi i industrisë automobilistike gjermane dhe jo vetëm asaj gjermane. BMW dhe Mercedes ishin të parat që dolën për t’u distancuar nga veprimet e VV-së. Kjo sepse imazhi në treg është dicka e paçmueshme, është good-will më i rëndësishëm i secilës kompani.

Nëse një herë industrialistët e mëdhenj arrijnë të mendojë në mënyrë strategjike, dhe për të mirën e gjithë njerëzimit atëherë, ky skandal, kjo javë mund të transformohet në javë historike. Është koha e fundit për të investuar ato miljarda euro dhe dollarë në zhvillimin e teknologjive ekologjike si elektriciteti dhe mbi të gjitha hidrogjeni, e para për të ristauruar imazhin e nëpërkëmbur të kompanive të fëlliqura, të skandalizuara dhe mashtruese që e gëzojnë sot, por edhe për të proklamuar “vdekjen” e dizelit dhe të të gjitha derivateve tjera të naftës që janë aq të dëmshme për ambientin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Që nga rrjeshtat e para ndalova leximin. Një autor dhe artikull që flet gjëja me ekspertizë për tregun e automobilave nuk guxon të bën gabim kaq trashanik. VW është e dyta në botë, Toyota është e para. Më fal por nuk mundem ta mar seriozisht këtë artikull.

Back to top button