Lëvizja BESA: A është MPB në shërbim të VMRO-së dhe BDI-së?!

Nga Lëvizja Besa thonë se me Marrëveshjen e Përzhinos nuk kanë përfunduar problemet me funksionimin e institucioneve, edhe pse është pritur që së paku ato të jenë më të kujdesshme në misionin e tyre për t’i shërbyer partive në pushtet.

“Arrestimet e fundit, sidomos pas akuzave që u bëhej krerëve partiak të BDI-së, si dhe në rrafshin qytetarë të biznesmenëve siç ishte burgosja e dr.Adil Mustafa, pronarit të spitalit “Shëndeti”, po ngjallin dyshime në opinion se ato kanë të bëjnë me hakmarrje politike, e të cilën në ironi e kishte paralajmëruar vetë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti kur tha se të padëgjueshmit e BDI-së do të përfundojnë në burg!”, thuhet në reagimin e Lëvizja Besa.

Lëvizja BESA konsideron se hapat e fundit të ndërmarra nga MPB, janë në funksion të realizimit të kërcënimeve ndaj të “padëgjueshmive” të BDI-së, si dhe biznesmenëve që mund të kritikojnë Ali Ahmetin e Musa Xhaferit, se do të përfundojnë në burg nëse flasin hapur. Andaj, Lëvizja BESA pyet MPB-në se në shërbim të kujt është ky dikaster – të qytetarëve, apo të partive në pushtet – BDI dhe VMRO? Po ashtu, pyesim MPB-në se a funksionon ende lidhja Musa Xhaferi–Sasho Mijallkov për marrëveshjet nëpër telefonata edhe në rastet e këtilla?

“Edhe një herë, porosisim MPB-në që të bëjë punën e saj konform ligjit duke qenë në shërbim të qytetarëve, ndërsa shërbimin ndaj klaneve të partive në pushtet ta bëjë më me kujdes dhe më fshehurazi sepse as që presim nga kjo klasë politike të jetë në shërbim të qytetarit”, përfundon reagimi./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button