Meta: Prokurorë amerikanë të hetojnë çështjen e CEZ-it

Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), mbështet konsensusin bipartizan për çështjen e dekriminalizimit. Ilir Meta, kreu i LSI-së, tha për mediat se partia e tij nuk ka qënë për një iniciativë të njëanshme, por për gërshetimin e të dy drafteve.
“LSI-ja ka qënë partizane e vendosur e konsensusit bipartizan për çështjen e dekriminalizimit. Nuk ka qënë për iniciativë të njëanshme dhe jemi të kënaqur që dje më në fund kemi arritur konsesusin në Konferencën e Kryetarëve në mënyrë që komisioni bipartizan të mblidhet, t’i gërshetojë çfarë ka të përbashkët në dy draftet, t’i dërgojë Komisionit të Venecias dhe pas reagimit të pranohen pa kushte”, u shpreh Meta.

Lidhur me akuzat e PD-së për lidhjet e kreut të Kuvendit me CEZ, z. Meta tha se është për një hetim ndërkombëtar të çështjes, duke ftuar dhe krerët e partive parlamentare t’i kërkojnë asistencë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“ Dua të mbështesë fuqimisht idenë e një hetimi të shpejtë, të plotë dhe të thellë ndërkombëtar për të gjithë çështjen e CEZ, që nga dita e parë e aktivitetit në vendin tonë dhe deri më sot. I ftoj krerët e partive parlamentare t’i kërkojmë SHBA të jenë të angazhuara dhe të krijojë juridiskion të veçantë, prokurorëve amerikanë për të ndihmuar në zbardhjen e kësaj çështje, e cila pretendohet që i ka kushtuar disa qindra milionë euro qytetarëve shqiptarë dhe ku janë përmendur, akuzuar mjaft figura politike, dhe qeveritare dhe jam i sigurtë dhe besoj se jo vetëm zoti Berisha po gjithë të tjerët do i bashkohen kësaj kërkese konkrete. Nëse janë të gatshëm të kontribuojnë për dekriminalizmiin dhe luftën kundër korrupsionit”, deklaroi Ilir Meta.

Ai tha se LSI, në kuadër të reformës në drejtësi do të kërkojë prokurorë amerikanë në rastet kur akuzohen politikanë të niveleve të larta për lidhje me krimin e organizuar, apo skandale korruptive.

Lajme të ngjashme

Back to top button