Presidenti Nishani uron besimtarët muslimanë për festën e Kurban Bajramit

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani iu ka uruar besimtarëve muslimanë shqiptarë festën e Kurban Bajramit, duke përcjellë mesazhin se kjo festë sjell në vëmendje sakrifikimin dhe dhurimin, dy shtylla nga më të rëndësishmet që sigurojnë paqen mes njerëzve mundësuar nga mëshira e Zotit.

“Le të jetë kjo ditë e shenjtë, si gjithmonë ka qenë në të kaluarën dhe gjithmonë do jetë në të ardhmen, një ditë kur ai që ka i jep atij që s’ka, i shëndetshmi mëshiron dhe bën diçka për të sëmurin, i fuqishmi ndihmon të dobëtin, i shoqëruari afron të braktisurin. Le të jetë kjo ditë gjithashtu një ditë e përqendrimit të vëmendjes së secilit ndaj shërimit të plagëve, sheshimit të kontradiktave, harrimit të sherreve, me anë të ndërgjegjësimit se paqja e të gjithëve nuk mund të arrihet ndryshe veçse përmes Mëshirës së Zotit, mirësjelljes së çdonjërit ndaj të gjithëve dhe të gjithëve ndaj çdonjërit”-thuhet në urimin e Presidentit Nishani.

Me rastin e kësaj feste, në mesazhin e tij Nishani shprehet se “jo vetëm të urojmë e të shpresojmë, por edhe të bëjmë çmos me veprime konkrete për të mundësuar që sa më shpejt lodhjen ta shndërrojmë në shplodhje, dyshimin në bindje, dobësinë në forcë, dasitë në vëllazërim, dhe sidomos hezitimin në Besim të plotë”.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme priten mesazhe urimi nga drejtuesit e tjerë të lartë të shtetit shqiptar dhe personalitete nga fusha e politikës, kulturës dhe fesë.

Lajme të ngjashme

Back to top button