Hojte: Patëm takim interesant për mediumet

“Takim interesant”, ishte komenti i shkurtër i lehtësuesit për bisedimet në mes partive nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos, Piter van Hojte, për bisedimet e sotme në lidhje me gjendjen e mediumeve.

Sipas disa informatave, dy përfaqësuesit e strukturës pushtetare të grupeve punuese, Biljana Brishkovska nga Ministria e Drejtësisë dhe Artan Grubi nga BDI, para kohe e kanë lëshuar mbledhjen. Ndërkaq, në fillim të takimit, prezantim të gjendjes së shërbimit mediatik “BBC”, ka dhënë eksperti për mediume Riçard Bejli. Ai ka prezantuar disa zgjidhje se si të kalohen problemet nga trysnia politike ndaj mediumeve në Maqedoni, njofton Meta.

Në takim me grupet punuese, ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e SHGM-së dhe AGM-së. Kryetari i SHGM-së, Naser Selmani, ka deklaruar se SHGM ka dalë me pesë qëndrime për të ardhur deri në zgjidhjen e gjendjes kaotike me hapësirën mediatike.

“Që të fillojmë të diskutojmë në këtë temë, më së pari duhet zëvendëskryeministri Vlladimir Peshevski të jep dorëheqje. Më andej duhet që të ndalohet me padi nga politikanët ndaj gazetarëve sepse funksionarët i kanë demantet dhe korrigjimet si mundësi. Kemi propozuar ndryshim të zgjedhjes së udhëheqësish programore të shërbimit publik dhe kemi kërkuar ndalim të menjëhershëm të reklamave politike-komerciale nëpër televizionet private. Pa këtë nuk mundemi të diskutojmë për ndryshime në sferën mediatike”, ka thënë Selmani.

Ivona Talevska nga AGM, ka theksuar se edhe kjo shoqatë ka dalë me disa kërkesa në mbledhjen e grupeve punuese.

“Fillimisht kërkojmë që të ashpërsohen dënimet për fyerje dhe shpifje ndaj gazetarëve, pastaj, duhet të ketë ndryshime në financimin e shërbimit publik, ndërkaq gjithashtu, me rëndësi është edhe çështja e portaleve që të kyçen në ligjet ekzistuese që e rregullojnë punën e mediumet”, tha Taleska.

Kryetari i grupit punues nga LSDM, Robert Popovski, vlerëson se sa më shpejtë duhet të zgjidhet çështja e mediumeve.

“Çështja e mediumeve është kryesore për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike. Për atë insistojmë që kjo çështje të zgjidhet deri më 15 tetor, që mediumet të kenë kohë që të rregullohen deri në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2016. Nëse kjo nuk zgjidhet, nuk do të mundemi të largohemi nga syzet e tyre rozë”, ka thënë Popovski.

Grupet punuese, përveç për çështjen e mediumeve, paralelisht kanë biseduar edhe për çështjen e zgjedhjeve, apo për mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të KSHZ-së, marrjen e vendimeve në këtë komision, votimin e diasporës dhe për pastrimin e Listës Zgjedhore. Pasdite në Parlament duhet të mbahet mbledhje e grupeve  punese për përbërjen e Komisionit Parlamentar Anketues. Në këtë takim do të marrin pjesë Petre Shilegov nga LSDM, Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE dhe eksperti belg Piter van Hojte.

Lajme të ngjashme

Back to top button