Tahiri: Është radha e BE-së ta shpërblejë Kosovën

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka thënë sot se Kosova ka dëshmuar seriozitet në dialogun Kosovë- Serbi si dhe zbatim të marrëveshjeve.

Sipas saj tash është radha e BE-së që ta shpërblejë Kosovën dhe pa vonesa të nënshkruhet Marrëveshja për Stabilizim Asociim dhe të merret vendimi për liberalizimin e vizave.

Këto komente Tahiri i bëri gjatë takimit që pati me ambasadorin e Suedisë për Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, me seli në Shkup, Mats Staffansson.

Në takim mes tjerash është folur edhe për zhvillimin dhe thellimin e marrëdhënieve diplomatike në mes të dyja shteteve, bashkëpunimin për reforma si dhe për mbështetjen për integrimet euro-atlantike për Kosovën.

Ndërkaq, nga ana e tij, ambasadori Staffansson vlerësoi lart marrëdhëniet bilaterale me Kosovën, dhe konfirmoi përkrahjen e Suedisë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO si dhe integrimin evropian dhe euro-atlantik, transmeton Klan Kosova.

Lajme të ngjashme

Back to top button