Senatorja amerikane kërkon legalizimin e marijuanës për përdorim mjekësor

Senatorja amerikane, Kirsten Gillibrand, mbështet legalizimin e marijuanës dhe kërkon ndryshimin e ligjeve federale që do të bëjnë të mundur përdorimin e saj për qëllime mjekësore.

Gillibrand, e cila përfaqëson demokratët e Nju Jorkut, mendon se qeveria duhet të reformojë ligjet që përfshijnë përdorimin mjekësor të marijuanës, duke lejuar shtetet të përcaktojnë politikat e veta, transmeton Shekulli.

Gillibrand, së bashku me senatorin republikan të Kentacky-t, Rand Pol, dhe senatorin demokrat të New Jersey-t, Cory Booker, kanë prezantuar në mars të këtij viti një iniciativë ligjore për lejimin e marijuanës për përdorim mjekësor.

Përdorimi i marijuanës ndalohet nga ligji federal, por është i lejuar në disa shtete.

Gillibrand thotë se shumë familje do të përfitonin nga marijuana mjekësore nëse nuk do të kishin frikën e ligjit.

“Ka një konflikt mes ligjit federal dhe atij të shteteve të veçanta dhe kjo i ka bërë konfuzë mjekët, pacientët dhe njerëzit që mund ta sigurojnë marijuanën. Njerëzit nuk janë të sigurt çfarë është e ligjshme dhe çfarë jo dhe pikërisht kjo paqartësi po pengon përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe zhvillimin e industrisë”, thotë ajo.

Profesionistët e industrisë së kanabisit ishin mbledhur në Nju Jork për takimin e përvitshëm, ku u diskutuan tema si kujdesi ndaj pacientit dhe politikat ligjore, për të cilat senatorët thonë se do të nxisin zhvillimin dhe kërkimet e reja mjekësore.

Në SHBA, marijuana klasifikohet si drogë e “tipit 1”, që do të thotë se qeveria federale nuk e njeh përdorimin e saj për qëllime mjekësore. Propozimet për ndryshimin e ligjit kanë të bëjnë me zhvendosjen e saj në kategorinë e drogës së “tipit 2”, çka sjell njohjen e ligjshme të përdorimit të saj për qëllime mjekësore, me programe të përcaktuara nga autoritetet shëndetësore dhe rekomandim të mjekut.

Lajme të ngjashme

Back to top button