Thaçi opozitës: Pushteti fitohet me vota

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Hashim Thaçi në një postim në Facebook ka thënë se sjellja e sotme e deputetëve të opozitës ndodhi pikërisht në ditën kur Komisioneri Hahn lavdëroi Kosovën në Bruksel për të arriturat në Procesin e Stabilizim-Asociimit dhe liberalizimit të vizave. Ai i ka thënë opozitarëve se pushteti merret me vota dhe alternativa politike e jo me forcë.

Më poshtë mund të lexoni postimin e tij:

Sjellja e sotme e deputetëve të opozitës në Kuvendin e Kosovës nuk është aspak në dobi të qytetarëve të vendit tonë. Sot u cenua Kuvendi, por edhe Kryeministri dhe e tërë Qeveria e Republikës së Kosovës. U cenua demokracia dhe pluralizmi. Por, mbi të gjitha sot u cenua qytetari i Kosovës dhe e drejta e tij për t’u informuar. Opozita nuk është e gatshme të ballafaqohet me forcën e argumenteve, prandaj po kërkon të shfrytëzojë argumentin e forcës. Në kohën kur Kosova po vlerësohet nga miqtë e saj në botë se po promovon dialogun dhe stabilitetin, opozita në Kosovë bën të kundërtën duke ndalë dialogun dhe duke kërkuar jostabilitet. Pushteti fitohet vetëm me vota e me alternativa politike dhe jo me bllokim të institucioneve. E tërë kjo vjen mu në ditën kur në Bruksel, Komisioneri Hahn lavdëron Kosovën për arritjet e bëra në Procesin e Stabilizim-Asocimit dhe të liberalizimit të vizave. Në po këtë ditë, opozita me sjelljet e veta në Kuvendin e Kosovës vë në pikëpyetje tërë këto të arritura dhe kthen frikën tek qytetarët dhe tek miqtë ndërkombëtarë se dhuna do të ndalë përsëri hovin e Kosovës. Frika dhe dhuna më nuk kanë vend në Kosovë. HTH

Lajme të ngjashme

Back to top button