Neziri i premton Mexhitit hapjen e paraleleve të reja

Sot Kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti ka pritur përfaqësues të Ministrisë së arsimit dhe shkencës dhe drejtorët e shkollave fillore të komunës së tij. Kjo mbledhje pasoi pas alarmimit të medieve se shkollat në këtë komunë janë të stërmbushura dhe se ka nevojë për paralele të reja, njofton Portalb.

“Me gjithë drejtorët e shkollave fillore dhe me përfaqësuesin nga Ministria e arsimit, Safet Neziri, bisedojmë rreth problemeve që u paraqitën në disa mediume. Në komunën e Çairit ka një laramani sa i përket numrave për formimin e paraleleve. Shembull shkolla Jashar Beu, këtu numri i formimit të paraleleve është i ulët. Kurse, shkollat tjera kanë numër kryesisht normal në kuadër të ligjit. Vetëm në shkollën Imri Elezi ka 3 klasa nga 37 nxënës, drejtoresha ka aplikuar në Ministrinë e arsimit për financim të ri, që të formohet edhe një klasë. Edhe shkolla tjetër Vasil Gllavinov, tek e cila në të kaluarën numri i nxënësve shqiptar ka qenë 5% ndërsa tani ka shënuar rritje dhe është 30%. Edhe aty ka një paralele e cila e tejkalon numrin 34, dhe njëjtë edhe drejtori i kësaj shkolle ka aplikuar për financim shtesë në MASH”, tha Mexhiti, Kryetari i komunës së Çairit.

Mexhiti pret që ministria e arsimit në mënyrë urgjente të miraton pëlqimet për financim të ri, me çka do të formohet edhe një paralele dhe mësimi të zhvillohet në kushte normale.

Safet Neziri, përfaqësuesi i MASH-it ka njoftuar se veç më ka filluar procedimi i kërkesave nga ana e shkollave.

“Kërkesat që kanë qenë të bëra deri në MASH, pas një analize kualitative që është bërë veç më kanë hyrë në procedim, me qëllim hapjen e paraleleve të reja”, theksoi Neziri./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button