A janë bordet e ndërmarrjeve publike: p(olitike) ro-f(arefisnore) esionale

Edhe pse pavarësia e bordeve të Ndërmarrjeve Publike kërkohet nga parimet e qeverisjes korporatave të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OBEZH), në të cilat bazohet ligji në fuqi për ndërmarrjet publike, prapë se prapë praktikat e deritashme të qeverisjes së korporatave të ndërmarrjeve publike në Kosovë, tregojnë se pavarësia e bordeve nga shteti si aksionari i vetëm është shkelur.

Shkelja e parimeve të qeverisjes korporatave gjatë procesit të zgjedhjes se bordeve ka bërë që të shkelet pavarësia e ndërmarrjeve dhe efikasiteti i tyre.

Sipas ligjit për Ndërmarrjet Publike, një person për t’u zgjedhur si anëtar i bordit dhe zyrtar i ndërmarrjes ndër të tjera nuk duhet: a) të ketë qenë 36 muaj zyrtar i zgjedhur publik, b) i emëruar politik, c) të ketë pasur një post vendimmarrës në një parti politike.

Megjithatë emërimi i anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike nga qeveria e Kosovës po bëhet pa asnjë kriter profesional dhe moral dhe vetëm sa kanë shndërruar këto organe të pavarura në mekanizma të klaneve dhe partive politike, duke e shkelur edhe ligjin.

Anëtarët e bordeve po zgjedhën njerëz që përfaqësojnë direkt politiken, ku në të shumtën e rasteve ose janë njerëz që vijnë nga listat e partive politike që kanë kandiduar për deputet dhe nuk kanë fituar ose janë farefis i figurave të larta të partive politike.

Praktika na dëshmon që jo profesionalizmi i anëtarëve të bordeve ka ndikuar që kompani të ndryshme publike, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal nuk kanë pasur përformancën e duhur.

Se këto emërime po na sjellin dëme të shumta, po e marrë shembull kompaninë me fitimprurëse në Kosovë, Posten dhe Telekomin e Kosovës (PTK). Qe nga viti 2007 e deri me tani, kjo kompani ka rënie të vazhdueshme si në të hyra, ashtu edhe në numrin e klientëve dhe askush nuk ka dhënë llogari pse kjo kompani është në ketë gjendje.

PTK, KEK, Hekurudha e shumë ndërmarrje tjera duhet të trajtohen me seriozitetin me të madh dhe në mënyrë profesionale, e jo në ketë formë dhe në ketë mënyrë duke bërë emërime klanore, fisnore dhe politike.

Anëtarët e bordeve që po emërohen nuk kanë asnjë histori në fushën, për të cilën janë emëruar për ta udhëhequr. Ka anëtar bordi që me profesion është gjuhëtar edhe pse sipas kritereve duhet të jetë ekonomist, jurist apo inxhinier i fushës përkatëse e jo letrar sepse veç nëse thur poezi, përndryshe gjë tjetër nuk mund të zhvillon në atë ndërmarrje. Përmes poezive dhe patriotizmit folklorike  nuk zhvillohet vendi. Patriotizmi më i madh sot është të zhvillohen ndërmarrjet, me zhvillimin e tyre zhvillohet vendi, me zhvillimin e vendit zbutet papunësia dhe më të gjitha këto krijohet besueshmëria që të investohet në Kosovë, por tek ne aspak këto nuk kanë rëndësi. Vazhdimësia e absurditeti po na përcjell terë këto vite në emërimin e anëtarëve të bordeve. Njerëzit që janë emëruar nuk janë aty për shkak të plotësimit të kritereve, por për të përfaqësuar farefisin, klanin dhe partin politike.

Akoma me keq është se kur këta persona emërohen, atyre u jepet fuqia që të punësojnë në radhët me të ulëta edhe më shumë persona nga farefisi dhe klani i tyre, e rrjedhimisht edhe nga partia e tyre.

Politizimi i bordeve të ndërmarrjeve publike është bërë çështje shqetësuese edhe për faktorin ndërkombëtar, përkatësisht në Raportin e Progresit.

Në Raportin e Progresit të vitit 2009 potencohet se ndikimi politik në emërimet e bordeve të ndërmarrjeve publike, ka dëmtuar besueshmërinë e institucioneve të Kosovës për të menaxhuar procesin e emërimeve në mënyrë të drejtë dhe të hapur.

Mundësia më e mirë për të ulur ndikimin e politikes në procesin e zgjedhjes se bordeve do të ishte duke marrë shembuj të praktikave të mira të vendeve tjera.

Sipas OBEZH, Amerika dhe Holanda janë vende që mund të marrim praktika të mira në nominimin e kandidateve për bordet. Ligji është ai që në këto vende siguron transparencën e nominimit të bordeve.

Në këto dy vende me ligj është e paraparë hapja e informacionit lidhur me emrat dhe përvojën e kandidateve, marrëdhënia mes kandidatit dhe aksionarit, arsyetimin për nominim, emri i rekomanduesit, marrëdhënia mes kandidatit dhe rekomanduesit etj.

Mbikëqyrja e zbatimit të ligjit dhe mbikëqyrja e përzgjedhjes, vlerësimit dhe identifikimit të kandidateve nga ana e shoqërisë civile dhe mediave do të rriste cilësinë dhe pavarësinë e procesit.

Gjithashtu përfaqësimi i punëtorëve në bordet e ndërmarrjeve, ashtu siç parashihet me parimet e OBEZH do të ishte një hap para drejtë pavarësimit të ndërmarrjeve publike.

Përfaqësuesi i punëtorëve do të mund të zgjidhej në mënyrë drejtpërdrejt nga punëtoret e kompanisë, ashtu siç e parasheh edhe modeli gjerman dhe në ketë formë do të mund të mbroheshin interesat e punëtorëve.

Ka ardhur koha që ti kushtojmë kohë, kohës. Jo kot me kot thonë anglezet koha është para.

Lajme të ngjashme

Back to top button