Droni shqiptar si makth i serbëve

“Droni shqiptar” që fluturoi mbi kokat e futbollistëve dhe tifozëve të pranishëm në stadiumin “Partizani” në Beograd, ishte përpos tjerash një mesazh simbolik i mrekullueshëm.

Droni ishte mesazhi, se nuk ka se si tifozët e pranishëm në stadium, që të gjithë serbë, të jenë më të civilizuar se të gjithë shqiptarët. Droni ishte mesazhi, sidomos për institucionet e shtetit serb, se është absurde ideja se nga ai stadium duheshin “përjashtuar” shqiptarët, pasi që “vetëm kështu mund të shmangej dhuna”.

Droni po ashtu ishte mesazhi, se nuk ka se si të jetë më i civilizuar Bogdanovi me shokët e tij, më tepër se shumë shqiptarë. Siç edhe rrodhën ngjarjet, u dëftua se racizmi dhe dhuna mund të ishin të pranishme edhe me vetëm serbë në stadium. U dëftua po ashtu se homogjeniteti etnik i pranishëm në stadium (në rastin konkret serb) aspak nuk do të thotë ta shmangësh dhunën. Madje, përkundrazi ideja sipas së cilës “me shqiptarët në stadium ka dhunë” është diskriminim i pastër etnik i autoriteteve të Serbisë.

Një dron, fjalë kjo aq pak e dëgjuar deri pak para ndeshjes, u bë simbol “heroik” ndër shqiptarët dhe u konsiderua “provokim” nga ana e serbëve. U përdor aq shumë fjala “provokim” në Serbi apo “provokacja” në origjinal, saqë të thuash se u shndërrua në një tallje mbarëpopullore shqiptare.

Fjala “provokim” nga serbët nuk u përdor vetëm nga qytetarë të thjeshtë të Serbisë, por edhe nga mediat serbe dhe më keq akoma deri edhe nga zyrtarët më të lartë të shtetit serb. Kjo është dëshmi e faktit se droni serb në qiellin e Beogradit u shfaq si makth edhe ndër mediume dhe zyra të Serbisë, kur në fakt ishte veçse një dron, që as e cenonte askënd.

E, në vazhdë të të gjithë asaj që ndodhi në Beograd shtoi këtu edhe faktin se Shqipëria fitoi tre pikë në tavolinë kundrejt Serbisë duke e lënë atë jashtë Evropianit, makthi ndaj dronit shqiptar u bë vetëm një përrallë që tregohet ndër serbë.

Së fundmi u raportua se një serb ishte kapur në Qafëthanë teksa fuste brenda Shqipërisë dy dronë dhe dyshimet e para lidhen me atë se serbët mund të jenë përgatitur të na bëjnë ndonjë “surprizë” në Shkodër, mund ta hedhin ndonjë dron, sikundër vepruam ne në Beograd.

Ky është vetëm dyshim për ngjarjen në fjalë. E vërteta për tërë kompleksitetin e ngjarjes është se gjuha, sipas së cilës droni qenka problemi, e përdorur gjerësisht nga politikanë serbë, është vetëm retorikë boshe nacionaliste. E vërteta është se problemi është racizmi, dhuna dhe sjelljet agresive. Ishin të gjitha këto ata që sollën edhe humbjen e Serbisë në tavolinë kundër Shqipërisë dhe si rrjedhojë fundosi shpresat e serbëve për të qenë në Evropian. Droni nuk është problemi. Droni është vetëm retorikë boshe nacionaliste serbe e ngritur deri në nivel institucional në Serbi.

Andaj, me rëndësi është që të mos përdoren thirrjet raciste dhe as dhuna. Kultura dhe mikpritja, qoftë edhe ndaj serbëve, në “Kryeqendrën e Veriut” na bën më patriot, më krenarë se jemi shqiptarë. Andaj, që të mos jemi njëjtë si serbët në Beograd, nuk duhet përdorur assesi dhunë, as racizëm, as diskriminim etnik.

Gjithashtu, as mos e fishkëllejmë himnin serb, të mos gjuajmë me sende të forta apo të mos provokohemi nga asgjë që ndodh në fushën e blertë.

Ky do të ishte patriotizmi më i pastër dhe dhurata më e bukur e gjithsecilit prej nesh përkundrejt Kombëtares sonë.

Lajme të ngjashme

Back to top button