“Zajednica” e vonuar e Ragmi Mustafës, fasadë mashtruese për shqiptarët e Luginës!

Uniteti i faktorit politik shqiptar në Luginën e Preshevës ka kohë që është  lëkundur. Liderët partiak, ka vite që vuajnë nga përçarjet për pushtet, karrierizmi, nepotizmi, lokalizmi, krahinizmi etj.

Lakmia për të qenë të parë, liderët e Luginës i ka shndërruar në servilë ndaj shtetit ku ata jetojnë dhe veprojnë. Në tre komunat shqiptare, sot kemi më shumë bajraktarë se sa institucione.

Serbia përmes përçarjeve nga brenda, i ka forcuar liderët politik, duke i shkatërruar nga brenda strukturat partiake, duke i ndarë në klane dhe grupe të interesit.

Kjo më së miri është vërejtur në momentin kur pushtuesi serb e hoqi lapidarin e dëshmorëve të UÇPMB-së, jo vetëm që liderët e Luginës nuk u zgjuan nga gjumi, por nuk u duk asnjë shqiptar i zgjuar në mëngjesin e së dielës me 20 janar 2013-të.

Qetësinë “mortore” gjatë heqjes së lapidarit, policëve serb ua prishën vetëm disa lehje qensh endacak  apo zëra korbash shtegtar.

Mirëpo qetësia nuk iu prish për asnjë moment as kryeministrit të Kosovës në bisedimet me Daçiqin në Bruksel.

Nga ajo ditë e deri me sot, s’ka pasur asnjë përpjekje serioze të faktorit politik-shqiptar për kthimin e lapidarit në vendin e vet, si dhe për avancimin e të drejtave kombëtare si; përdorimi i lirë i simboleve kombëtare, gjuhës dhe arsimit shqip, të drejta këto të garantuara me konventat ndërkombëtare.

Përderisa në bisedimet e Brukselit Daçiqi i mbronte dhe i realizonte interesat e serbëve në Kosovë, kryeministri ynë jo vetëm që nuk qe i zoti të mbrojë interesat e shqiptarëve të Kosovës, por i injoroi në tërësi ato të shqiptarëve të Luginës!

Përderisa shqiptarët e Luginës e ndjejnë dhe e trajtojnë atdheun e tyre si pjesë të Kosovës veriore, liderët shtetëror të Kosovës dhe Shqipërisë, asnjëherë dhe në asnjë takim diplomatik me ndërkombëtarët nuk e trajtojnë si të tillë territorin nën pushtimin serb!

Në fillim të negociatave me Serbinë në Bruksel, kryeministri i Kosovës z. Hashim Thaçi thoshte (gënjente) se nuk do vjen në shprehje asnjë lloj asociacioni serb,…kompromisi i vetëm për ne është pakoja e Ahtisarit, e shprehur në deklaratën e “Pavarësisë” së 17 shkurtit 2008-të.

Lugina, tashmë e harruar nga dy qeveritë shqiptare (Kosovë e Shqipëri), e ndodhur mes dy opsionesh; të hesht apo të pranoj nënshtrimin ndaj pushtuesit serb, apo të vetorganizohet për të marrë fatin e vendit në duart e veta,…po e bën më të keqën e mundshme, atë të veprimeve improvizuese siç ishte rasti i fundit me krijimin e Asociacionit të komunave shqiptare në Luginë, apo siç po e quajnë disa “Zajednica” e Ragmi Mustafës.

Shkaku i anomalive të shumta , “Zajednicës” së Ragmi Mustafës i mungojë përkrahja dhe mbështetja institucionale e Tiranës dhe Prishtinës, injorimi i skajshëm bashkësisë ndërkombëtare.

Në anën tjetër Beogradi edhe pse në parim e kundërshtoi “Zajednicën”, madje edhe e kërcënoi një akt të tillë, për qëllim ka zhvendosjen e vëmendjes së opinionit nga “Zajednica kosovare” në drejtim të “Zajednicës së Ragmi Mustafës”.

“Zajednica e Ragmi Mustafës” nuk e ka as fuqinë juridike e as politike që e ka “Zajedina” kosovare për arsye se serbët e Kosovës janë kategori e veçantë kushtetuese në Kosovë, të privilegjuarit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, përderisa shqiptarët në Serbi janë pakicë kombëtare, njëjtë si romët, boshnjakët, hungarezët etj.

Edhe pse javë më parë sponzorizuesi kryesor i “Zajednicës” në Luginë, zoti Ragmi Mustafa e nderoi me “zahvalnicë” (mirënjohje) kryeministrin serb Aleksander Vuçiq, me motivacionin për “trajtimin e mirë” të shqiptarëve në Republikën e Serbisë, kur këta të fundit (shqiptarët), akoma nuk e kanë të drejtën e  përdorimit të lirë të simboleve kombëtare, gjuhës së tyre amtare nëpër institucionet shtetërore.

Pra, këtu shihet qartë se  “Zahvalnica” për Vuçiqin dhe ankesat e Ragmi Mustafës për diskriminim nga ky i fundit janë në kundërthënie të plotë me njëra tjetrën. Në fakt, “Zajednica” mbetët vetëm një demagogji politike e Ragmi Mustafës dhe liderëve tjerë shqiptar të Luginës..

Po të ishte lider i përgjegjshëm, besnik dhe njeri i fjalës, Ragmi Mustafa që moti do të ishte larguar nga skena politike në Luginë të Preshevës, pikërisht atëherë kur kishte thënë se do të japë dorëheqje nëse hiqet lapidari i dëshmorëve të UÇPMB-së. Lapidari ka dy vite e gjysmë që është hequr, mirëpo Mustafa është ende aty, në krye të Komunës së Preshevës.

Në të njëjtin nivel moral dhe politik janë edhe liderët e tjerë të Luginës; Jonuz Musliu, i cili udhëheq Këshillin Nacional të Shqiptarëve, bashkë me kryetarin e Bujanocit, Nagip Arifi, po u hedhin “pluhur syve” shqiptarëve me Asociacionin, ndonëse “tortën” e pushtetit lokal në Komunën e tyre e ndajnë me partinë e Vuçiqit dhe Daçiqit!

Liderët e Luginës edhe më joseriozë me veprimet e tyre u treguan kur deklaruan se Asociacioni i Shqiptarëve në Serbi do të ketë kompetenca sa edhe Asociacioni i Serbëve në Kosovë. Ky krahasim mes dy asociacioneve është i pabazuar në fakte dhe realitet.

Degradimit të të drejtave të shqiptarëve në Serbi i kanë kontribuar vet liderët shqiptar me luftën e brendshme për pushtet, me tekët dhe inatet personale ndaj njëri-tjetrit. Këtë që them e argumenton mosbashkimi i partisë së Rizah Halimit, në themelimin e Asociacionit është pikërisht për shkak të inateve partiake, e jo pse ky i fundit ka ofruar ndonjë alternativë më të mirë politike për shqiptarët e Luginës.

“Zajednica” e shqiptarëve të Luginës jo vetëm që është e vonuar në aspektin kohor, është e padobishme, pa efekte politike në përmirësimin e jetës së popullatës shqiptare në ato hapësira,…do të thoja e dështuar apo siç po i thonë disa “Abort politik”, jo vetëm shkakun e Beogradit, por të vet faktorëve politik shqiptar në Luginë.

Koha më e përshtatshme për krijimin e Asociacionit të komunave shqiptare në Luginë, ka qenë fillimi i dialogut serbo-shqiptar në Bruksel, ndërsa afati i fundit ishte momenti me rastin e heqjes së monumentit të dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë,… rezistenca e përgjithshme do të riaktualizonte çështjen e Luginës në arenën ndërkombëtare, kur në të njëjtën kohë zhvilloheshin bisedimet për “Zajednicën” kosovare në Bruksel.

Më mirë vonë se kurrë, na mbetët të shpresojmë se kësaj radhe shqiptarët e Luginës të vetëdijesohen në bashkimin e forcave, në unifikimin e veprimeve për jetësimin e Asociacionit të komunave shqiptare në Luginë, e të mos mbetët sikurse  Këshilli Nacional, i pafuqishëm dhe i pavlerë përballë lapidarit të UÇPMB-së.

Rivërja e lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së në vendin ku ishte më parë, do të ishte hapi i parë i demonstrimit të ekzistencës dhe veprimit të Asociacionit të komunave shqiptare në Luginë, për kthim të besimit në mesin e popullatës,… në të kundërtën do të mbeten lojë djallëzore dhe fasadë mashtruese e liderëve kontrovers shqiptarë për mbajtjen e pozicioneve nën  pushtetin serb.

Lajme të ngjashme

Back to top button