Putin ndiqet penalisht për një gotë verë

Prokuroria ukrainase ka njoftuar se ka nisur një hetim gjyqësor pas degustimit nga Vladimir Putin dhe ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi, të një vere të vjetër 240 vjet gjatë vizitës së tyre kontroverse në gadishullin ukrainas të Krimesë, i aneksuar nga Rusia më 2014, shkruan sot gazeta “Zëri“.

Presidenti rus dhe miku i tij, i pari ish-shef i një qeverie evropiane që ka vizituar Krimenë pas aneksimit të saj në mars 2014, kanë shkuar më 11 shtator në qilarët e Massandras, prodhuesi legjendar i verës në Krime që nga epoka cariste, dhe i cili ishte një ndërmarrje publike ukrainase deri në aneksimin e saj.

Sipas një mediumi rus, përcjell “Zëri”, drejtoresha e Massandras, Ianina Pavlenko, e emëruar në këtë pozitë nga autoritetet ruse, për mysafirët e saj i ka hequr tapën njërës prej pesë shisheve të verës nga Jerez de la Frontera (Spanjë), që datonte nga viti 1775 dhe e cila, sipas disa vlerësimeve, është një prej verërave më të shtrenjta në botë.

Pas publikimit të kësaj ngjarjeje, Prokuroria ukrainase ka hapur të mërkurën një hetim kundër personit X për “përvetësim” të pasurisë publike, ka treguar Nazar Kholodnitsky, një zyrtar i prokurorisë i ngarkuar me Krimenë, duke shtuar se kjo shishe mund të vlente “më shumë se 100.000 dollarë”.

Sipas Kodit penal ukrainas, zonja Pavlenko, e cila nuk është akuzuar ende zyrtarisht, rrezikon deri në 12 vjet burgim.

“Kjo verë i përket trashëgimisë kombëtare. Nuk është vetëm e Krimesë ose Massandras. Pra, është e tërë popullit ukrainas. Vera u ka mbijetuar dy luftërave botërore. Madje, as nazistët nuk e kishin hapur shishen”, ka thënë me pezëm z. Kholodnitsky.

Autoritetet ukrainase aktualisht nuk janë në gjendje të kryejnë hetime në terren, por po përgatisin një bazë ligjore për ta çuar deri në fund në të ardhmen, ka thënë ai.

“Kur aneksimi të marrë fund dhe ne do të kthehemi në gadishull, kriminelët do të ndëshkohen”, ka deklaruar zyrtari.

“Ky hetim do ta presë momentin e tij”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme

Back to top button