SHTATORI

Gjyshja qante kur ndonjëri nga nipat fillonte klasën e parë “…hyn në gajlet e dynjasë që nuk sosen” thoshte, pasi fëmija atëherë pushon të jetë vetëm fëmijë.

Shtatori për kalamajtë don të thotë fundi i verës, anise zyrtarisht ka edhe tri javë të plota vere. Ky muaj gjithmonë më është dukur si pjesa me ndriçim më të bukur. Është i përshkruar edhe në romane (Heminguej, Sagan) vezullimi sa i butë aq edhe i fuqishëm i dritës diellore në shtator. Diçka si dashuria e cila na bën më të butë, na motivon për të qenë varijanti më i mirë i vetes, edhe atë fare natyrshëm; pra na forcon pa sforcime.

Kur e dërguam Barletin në klasë të parë, me të dalur në oborrin e shkollës m’u kujtua gjyshja, por edhe sikur mos më kujtohej sërisht do ta ndjeja një si lëmsh në fyt pasi “një kohë për të çdo gjë do të jetë e parëndomtë dhe e re”. Asokohe për bela lexoja Hanif Kurejshin: tek “Intimiteti” ishte një pasus ku personazhi kryesor tregon se si çlirohet kur e lë fëmijën në duart e mësueses dhe shkon në kafenenë përballë i lumtur që nuk është në vendin e fëmijës.

Fillimi i shkollës reflekton shoqërinë si dhe logjikën se logjikë nuk ka. Pse përndryshe oraret nuk përgatiten me kohë, para një shtatorit!? Java e parë, edhe nëpër universitete, është kohë e gjezdisë, sikur muajt paraprak nuk kanë mjaftuar për këtë. Pse librat çdo vjet vonohen ose vijnë me vonesë ose nuk vijnë fare!? Pse thuaja nuk ka oborre të mirëmbajtura shkollore me gjithë atë krah pune aty!? Nëse secila klasë fiton parcelën e vet të terrenit që kryesisht duket Saharë ditën dhe horror natën, me këtë përmbushen shumë pika: edhe fryma garuese, edhe shprehitë e punës, sensi për përgjegjësinë individuale në punët publike, edukata ekologjike që do kishte ndikuar edhe në higjienën publike se fëmija që mbledh mbeturina është me difolt fëmija që nuk hedh mbeturina. Nëse këto lekcione nuk fitohen sa duhen as në shtëpi as në shkollë si do edukohen fëmijët për ambientin, vetëdijen qytetare, për zërin njëjës të secilit prej nesh aty ku jeton dhe punon.

…çdo fillimshtatori na përkujton rishtaz se sa gjëra të kota apo të shkelura nga koha përmbajnë plan-programet arsimore. Mjafton të marrësh në dorë një çantë shkollore për të parë se sa peshon marrëzia. Reformimi rrënjësor do duhej, mes tjerash, që librat shkollorë ti përgjysmojë, ti funkcionalizojë, ti pastrojë nga mbeturinat ideologjike, por edhe ti estetizojë që të jenë më atraktivë, më të këndshëm për përdorim. Kjo kërkon modele të shteteve me arsim cilësor, sinergji të ekipeve vendore dhe të huaja (në Kroaci, për ilustrim, ekspertë kulmorë punojnë me vite), kohë të mjaftueshme dhe ngulmim për ndryshime që nuk janë make-up.

Kjo lyp Njerëz që Ecin pasi çdo rrugë e gjatë, apo, nis me hapin e parë.

Lyp zërin në njëjës: punët e mëdha vërtet janë ekipore, por nisin nga Një Njeri i guximshëm dhe ëndërrimtar.

Njerëz të fuqishëm dhe të butë se vetëm ata nuk frigohen të ëndërrojnë.

Janë “me lodra në bark”, thoshte gjyshja.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button