Të hënën shfaqet premiera “Kuzhinat” në Tetovë

Teatri i Tetovës vjen me premierën e tretë për vitin 2015. Bëhet fjalë për komedinë “Kuzhinat” të autorit londinez Alan Ayckbourn e përgatitur për skenë nga regjisori kosovar Ilir Bokshi.

Shfaqja “Kuzhinat” ndodh përgjatë tri Kërshëndellave në kuzhinat e tri çifteve: Sidni Hopkroft, një tregtar ambicioz dhe gruaja e tij e bindur Xhejn; arkitektit dhe kurorëshkelësit Xhefri Xhekson dhe gruas së tij të dëshpëruar Eva; Ronald Brusterit, bankier dhe gruas së tij alkooliste Merion. Tri çiftet renditen nga klasa punëtore tek ajo e lartë.

Shfaqja është e ndërtuar përreth dhe në mes të klishesë së vjetër kritike se farsa dhe tragjedia janë thjesht dy anë të kundërta të së njëjtës monedhë. Gjersa fatkeqësitë grumbullohen, paniku intensifikohet dhe marrëdhëniet shoqërore shpërbëhen, aq më shumë audienca qesh. Por në çdo moment do të duhej vetëm një shtyrje e vogël për të rrëzuar të gjithë situatën kokëposhtë në momente llahtari. Ajo që e bën këtë shfaqje për t’u shpërblyer është se përfund gazit gurgullues gjen një ndjenjë mjaft të mprehtë të dhimbjes dhe trishtimit njerëzor.

Skenografia është përgatitur nga Petrit Bakalli, kostumet nga Vesa Kraja dhe muzika nga Idriz Ameti. Rolet në shfaqje i luajnë: Adrian Aziri, Azra Sallahi, Xhevdet Jashari, Linda Shabani, Blerim Ismani dhe Sabina Memishi.

Premiera e shfaqjes do të jetë të Hënën me 21 Shtator 2015 ora 20:00 në sallën e Teatrit të Tetovës.

Teatri i Tetovës në fund të muajit Shtator gjegjësisht nga 28 Shtator – 3 Tetor 2015 është nikoqir i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit të Tetovës 2015 në të cilin do të prezentohet gjashtë trupa teatrale nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe Bullgaria.

Lajme të ngjashme

Back to top button