Kosovë, mbi 1,000 biznese të shuara

Në tregun e Kosovës nga muaji janar e deri më tash janë shuar në mënyrë vullnetare 1 mijë biznese, thonë zyrtarë të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, shkruan REL.

Kryeshefi ekzekutiv në Agjencinë për Regjistrimin e bizneseve Gazmend Mejzini, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, tregon procedurat e shuarjes se bizneseve individuale të cilat shuhen në mënyrë vullnetare.

“Bizneset te ne aplikojnë për shuarje në mënyrë vullnetare dhe varësisht nga tipi i biznesit ekzistojnë procedura të caktuara të cilat duhet të respektohen. Për bizneset individuale, që konsiderohen si tipi më i thjeshtë i bizneseve, për ta shuar vullnetarisht këtë biznes kërkohet vërtetimi i administratës se janë përfunduar të gjitha obligimet, formulari i caktuar dhe në momentin që dorëzohen në agjenci bëhet edhe shuarja vullnetare”, ka thënë Mejznini.

Por, ekspertët e çështjeve ekonomike, konsiderojnë se numri i bizneseve të shuara është tejet i lartë, kur merret parasysh, siç thonë ata, tregu i vogël i Kosovës.

Naser Grajçevci, ish udhëheqës në Agjencinë për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, madje thotë se numri mund të jetë edhe më i lartë, pasi jo të gjitha bizneset e shuara, çregjistrohen në institucionet kompetente.

Ne kemi 1000 biznese vetëm të lajmëruara, por realisht ne nuk dimë sa biznese janë të shuara në këtë periudhë. Kjo është alarmante. Sepse Kosova është vend i vogël për një numër kaq i madh të bizneseve të shuara, për një periudhë të shkurtër kohore, vërtet është alarmante”.

“Duhet të jetë alarmante për ata që ndërtojnë politika karshi biznesit, për ata që janë përballë biznesit, për të favorizuar ambientin biznesor”, thotë Graiçevci për Radion Evropa e Lirë.

Grajçevci thekson se ambienti i pafavorshëm për biznese, mungesa e mbështetjes institucionale për kompanitë e reja dhe atoekzistuese, korrupsioni, shantazhi janë vetëm disa arsye që kanë dekurajuar afaristët në Kosovë.

“Janë faktorë të shumtë që ndikojnë në këtë ambient, nuk është vetëm ambienti material i mbështetjes, janë elemente tjerë, elementi i korrupsionit, format e ndryshme të shantazhit. Vazhdimisht hasim në një burokraci të stërzgjatur të procedurave dhe të gjithë këto janë elemente që dekurajojnë ndërmarrësin”.

“Dhe jo rastësisht, sot ne kemi një dekurajim total të ndërmarrësve. Dhe njerëzit më të interesuar janë që të hyjnë në një vend pune se sa të hapin biznesin”, thotë Grajçevci.

Kurse gjatë vitit të kaluar sipas shifrave zyrtare, janë regjistruar 9,485 biznese ndërkaq janë shuar 1,663 biznese.

Lajme të ngjashme

Back to top button