Sarkazma e natyrës

Në një kohë kur të gjithë po turen të flasin për prokuroren publike, ndërkaq që po ju lodhin veshët dhe sytë me të njejtën temë, ditë pas dite, orë pas ore, dua t’ju shpërqëndroj me dicka që është e një rëndësie globale, për mënyrën se si planeti jonë po rënkon si pasojë e fenomenit të quajtur “ngrohje globale”. Ajo që më inspiroi të shkruaj lidhur me ngrohjen globale si fenomen dhe për ardhmërinë të planetit dhe të njerëzimit është fakti që është dicka e prekshme, një rrezik që rrin pezull mbi të gjithë ne dhe fakti që secili prej nesh është fajtor për gjendjen e planetit sot. Por secili prej nesh mund të kontribuojë për ngadalësimin e saj. Ngrohja globale, nuk është fenomen i cili mund të ndalet, nuk ka formulë magjike e cila do të pastronte gazrat serrë nga atmosfera e tokës. Por duke u vetëdijësuar lidhur me të, shkaqet dhe pasojat e ngrohjes globale mund të bëjmë një hap të vogël për sigurimin e një jete më të rehatshme për ne dhe për fëmijët tanë. Askush nuk do të kishte dashur të jetojë në një temperaturë mesatare ditore prej mbi 50 gradë celzius, të paktën ata “fatlumë” që do të jetojnë akoma përmbi ujë, sepse ujërat e oqeaneve do të kenë rritur aq shumë nivelin, sa nuk do të ishte për habi sikur ata që kanë vila në bregdetin e Shqipërisë të zgjohen një ditë nga trokitja në derë e kojshiut të tyre të ri– një peshkaqeni a një balene. Nuk është shaka!

Për ta kuptuar shakanë më mirë, duhet ta kuptojmë thelbin e cështjes. In medias res, problemi kryesor është sasia e tepërt e gazrave serrë, dioksid dhe monoksid karbonit dhe gazrave të tjerë të ngjashëm, të cilët kur lirohen në atmosferë në sasi më të mëdha krijojnë një lloj mbulese mbi shtresën e hollë të ozonit atmosferik. Kjo sepse këto gazra kanë veti të tilla fizike që janë më të lehta se ajri dhe mbajnë energjinë, që rrit temperaturën nën këtë shtresë atmosferike. Janë të shumtë shkaktarët: djegia e lëndëve fosile (nafta, gazi natyror, thëngjilli), shkatërrimi i pyjeve, ndërtimet e tepruara, lëndët kimike bujqësore… lista është shumë e gjatë, mund të ngarkohemi me numra pa patur nevojë.

Ekzistojnë disa paradokse që janë karakteristike për ciklin e zhvillimit të fenomenit të ngrohjes globale dhe për vetëshkatërrimin që po ia shkakton njerëzimi vetes dhe planetit. Njëri ndër këto paradokse është që Kina dhe SHBA-të janë ndotësit më të mëdhenj të ambientit, sepse janë cliruesit më të mëdhenj të gazrave serrë, me rreth 6 miljardë tonë kubikë dioksid karboni në vit. Por sidoqoftë, ndotësit më të mëdhenj janë lopët! Po po, lopët. Secila lopë në vit liron – të shprehem bukur, rreth 100 litra monoksid karboni. Duke patur parasysh që monoksidi i karbonit është rreth 25 herë më i dëmshëm për planetin sesa dioksidi i karbonit, atëherë me të vërtetë lopët janë ndotësit dhe faktorët më të mëdhenj të ngrohjes globale. Epo atëherë, pse tërë kohës po jua vë fajin njerëzve?! Zgjidhja qenka shumë e lehtë, do të vrasim gjithë lopët e botës dhe nuk do të kemi më ngrohje globale. Por edhe këtu jemi ne fajtorë, sepse lopët lirojnë një sasi të tillë gazi sepse ushqehen me prodhime kimike që megjithëse ju risin produktivitetin e qumështit, aq edhe ju dëmtojnë sistemin digjestiv me lirimin e sasive jonormale të gazrave. Një sarkazmë tragjikomike e natyrës.

Një kohë mendohej që zgjidhja e problemit do të ishin lëndët djegëse të ashtuquajtura BIO. Nuk duhen paramenduar të gjelbërta, të pastërta! Quhen BIO sepse prodhohen nga drithëra të ndryshëm, kryesisht elbi. Prodhuesi më i madh në botë i lëndëve djegëse BIO është Brazili. Ajo që po ndodh në Brazil është kjo: po shkatërrohet lugina e Amazonit – e njohur si mushkëritë e tokës – për tu mbjellë ajo tokë me elb në mënyrë që të krijohen nafta bio, e cila në vete përmban të paktën 75% naftë klasike dhe në formën e vet më të pastërt 25% tretje elbi. Në shumicën e rasteve, përqindja e masës BIO në naftë është prej 3-7%.

Ajo që do të ishte shpëtimi i shpejtë i planetit dhe njerëzimit, është ndalimi i të gjitha industrive, i gjithë transportit të mekanizuar, dhe mbjellja e miljarda e miljarda pemëve johalorë nëpër të gjithë planetin. Në pamundësi për të bërë këtë, sepse thjesht nuk është e mundur, janë dy sistemet kryesore dhe të qëndrueshëm të ngadalësimit të ngrohjes globale: krijimi i sistemeve të qëndrueshme dhe të rinovueshme energjetike dhe pyllëzimi i shtuar i planetit.

Përsa i përket sistemeve të qëndrueshme energjetike, forma më efikase dhe më e pastër është hidrogjeni dhe qelitë energjetike që me kombinimin e hidrogjenit dhe oksigjenit krijojnë rrymë, nxehtësi. Ndotja e vetme është në formë të një uji të pastër, ndërsa kostoja është minimale. Hidrogjeni është elementi më i përhapur në Univerz.  Ndërsa pyllëzimi i planetit duhet të jetë prioritet dhe abetarja e secilit prej nesh. Qëllimi duhet të jetë mbjellja e pemëve johalorë, gjetherrënës sepse ato kanë potencial fotosintetik më të madh, rrjedhimisht “hanë” më shumë dioksid karbon për të prodhuar oksigjen të pastër. Koha për të vepruar është që tani!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button