Të komprometuarit

“Kush bën ndonjë gjynah ose të keqe, pastaj ia vesh atë një të pafajshmi, atëherë ai e ka ngarkuar veten me fajin e shpifjes dhe me një gjynah të qartë.” (En Nisa, 112)

Këto ditë, një polic serbo-maqeonas i cili po reklamohet si gazetar i përndjekur politikisht, ka filluar të godasë mbi të gjithë ata të cilët, në njërën apo në mënyrën tjetër, shpesh kanë ditur t’ua prishin hesapet antinjerëzore disa strukturave policore serbo-maqedonase. Natyrisht, të gjitha shkrimet e fundit të këtij farë bastard gazetari, duke u publikuar si “të vërteta nga arkivat policore”, në fakt synojnë mbushjen me mllef e urrejtje të një mase të gjërë si dhe reagime eventuale shumë radikale, me qëllim të realizimit të asaj dëshire të sëmurë të punëdhënësve të këtij reprodukuesi të skenareve antishqiptare! Po pra, akoma ngelin të gjalla aspiratat e dobëta për një shtypje të shqiptarëve deri në zhdukjen e tyre nga viset etnike. Dhe, gjithnjë këtë dëshirë psikopatike e kanë kamufluar si nevojë për ta luftuar idenë për “Shqipëri të Madhe”, ndërsa tani ia kanë bashkangjitur edhe luftën kundër “xhihadistëve shqiptarë”! Ky synim akoma mbetet si vizion i njerëzve të sëmurë që deri në amshim e presin momentin e mposhtjes së shqiptarëve. Kjo “masoneri” antishqiptare shumë shpejt do të detyrohet të vetëshkatërrohet, sepse, përmes metodës së vetme që u  ka ngelur për momentin, ai i komprometimit të personaliteteve shqiptare, është vetëkomprometuar për faqe të zezë.

Ëndërrat e serbo-nostalgjikëve

“Kalemxhiu” maqedonas i fshehur birucave serbe, i cili nuk bën asgjë tjetër përveçse i interpreton disa paçavura analitike të atyre strukturave policore antishqiptare, duke dashur të mjegullojë fakte e argumente, çuditërisht hedh dritë mbi disa ngjarje të parapara për ta degraduar tërë proçesin kombëtar shqiptar që mori hov me rënien e komunizmit. Faktet flasin se, pikërisht unë, autori i këtij shkrimi, kam qenë luftëtari më i denjë dhe i pakompromis kundër atyre përpjekjeve për të cilat, gazetari polic thotë se kanë qenë të shërbimeve sekrete serbo-maqedonase me qëllim të rikthimit të ushtrisë serbe në Maqedoni si çekan mbi kokën e “seperatistëve dhe xhihadistëve shqiptarë”.

Me pjesëmarrjen e shqiptarëve në qeverinë dhe në parlamentin e Maqedonisë, të kota kishin qenë përpjekjet e serbo-nostalgjikëve për të provokuar konflikt ndëretnik. Ndaj, dhe dështuan të gjitha me radhë. Dhe, shih skenarin ortodoks! I vetmi destabilizim i Maqedonisë, e cila do të shpëtonte vetëm me rikthimin e ushtrisë serbe në këtë shtet, paska qenë provokimi fetar! Gazetari polic i përmend vetëm dy raste, të cilat gjithnjë dhe publikisht i kam denoncuar si produkte serbo-maqedonase me qëllim të ndezjes së një lufte të maqedonasëve kundër “xhihadistëve shqiptarë” të Ballkanit. Këtë konflikt e paskëshin paramenduar përmes instalimit të Lidhjes së Rinisë Islame, e cila, duke qenë mashë e shërbimeve sekrete serbe qenka dashur të merret me radikalizimin  e shqiptarëve në rrafshin fetar. Natyrisht, kjo nuk do t’ju shkojë ndoresh sepse, të gjithë e dinë se çfarë lufte të pakompromis kemi zhvilluar kundër kësaj krijese antiislame. Kur kjo u paska dështuar strukturave sekrete serbo-maqedonase në terren është hedhur plani tjetër: përdhosja e sahatkullave me kryqe. U vu në Manastir e në Prilep. Më kujtohet që, kundër kësaj vepre të shëmtuar pata reaguar edhe te kryetari Gligorov. Ai më pat premtuar se për dy javë do t’i heq. Në vend të realizimit të premtimit na erdhi haberi se KOM-i po përgatitet për ta vënë kryqin edhe në sahatkullën e Gostivarit! Atëherë realizova një bisedë telefonike mjaft të ashpër e nervoze me Gligorovin të cilit i thashë që, ju përgatisni kryqet ndërsa ne do ta hapim varrin e Maqedonisë dhe ato kryqe t’i vini në atë varr! “Odiseada” e kryqeve përfundoi me aq, ndërsa nuk ka ngelur organizatë në botë e cila nuk ishte e informuar nga ne, BFI-ja, për qëllimet e errëta të serbo-nostalgjikëve të cilët i paska pas udhëhequr ish-sigurimsi i parë i vendit, Sllobodan Bogoevski. Me atë rast i patëm ngrirë edhe raportet me KOM-in.

Natyrisht, unë isha ai fajtori kryesor që këtyre strukturave antishqiptare e antiislame ua zbërtheva skenaret e errëta ndaj dhe, tërë mllefi dhe urrejtja e tyre do të derdhet mbi mua. U bëra cak i një fushate mediale të paparë, përplot insinuata, shpifje, gënjeshtra e trillime mbi personalitetin tim. Kjo është metoda e fundit e strukturave policore: të përbaltet personaliteti kyç i cili pamundëson sendërtimin e projekteve policore. Mundësisht të komprometohet!

Unë, shkatërruesi i planeve të serbo-nostalgjikëve

Këto dy vitet e fundit, çuditërisht, u ringjallën po të njëjtat struktura. Shkas u bënë luftërat në shtetet arabe. Maqedonia po rrezikohej shumë rëndë nga “muxhahedinët shqiptarë” të cilët po shkonin vullnetarisht për të vdekur në Irak e në Siri, ndërsa këto struktura po çmendeshin nga frika. Edhe ne u solidarizuam me frikën e tyre dhe u bëmë palë e sjelljes së një ligji që do t’i ndëshkonte të gjithë ata qytetarë të vendit që shkojnë në luftëra të huaja. Kur ne, si Institucion, me kohë patëm thënë se të gjithë ata tipa që me pamjen e tyre mbjellin frikë tek maqedonasit nuk janë asgjë tjetër përvese vegla të huaja dhe se nuk kanë asgjë të përbashkët as me shqiptari e as me islam të mirëfilltë dhe si të tillë duhet të trajtohen nga ligjet përkatëse të vendit, institucionet shtetërore e luanin shurdhin. Ne publikisht kemi folur se ata nuk janë prej nesh dhe se nuk kanë të bëjnë asgjë me BFI-në.  Ky qëndrim i yni i paskësh irrituar tej mase strukturat policore serbo-maqedonase, të cilat paskan menduar dhe pritur që ne të bëhemi palë me “radikalët”, t’i institucionalizojmë ata dhe, duke marrë pastaj masa mbi institucionin tonë të vinte deri te ndezja e një situate fatale për shqiptarët e rajonit. Të shpërthente një konflikt i cili, përkundër interesimit të ndërkombëtarëve, gjithsesi që do t’i zhdukte gjurmët e vjedhjeve, korrupsionit e krimit të organizuar të pushtetarëve të viteve të fundit dhe, sakaq, Maqedonia të inkuadrohej në NATO!

Ne, këto struktura, jo vetëm që nuk i pranuam që janë prej nesh, jo që kurrë nuk i futëm në Institucion, por, profesionalisht përgatitëm edhe një projekt për sensibilizimin e popullatës sonë kundër këtyre luftërave, për mbështetje sociale dhe trajtim human të familjeve të atyre që tashmë gjenden në luftë, të familjeve bijtë e të cilëve kanë vdekur në ato beteja të huaja për ne dhe, fare në fund, për riintegrimin e “luftëtarëve” pasi të përfundojnë me të gjithë proçedurat ligjore të vendit. Ky projekt i BFI-së, sakaq do të shpërndahet dhe do të përkrahet prej shumicës së ambasadorëve të huaj në vend, do të bëhet bazë për shumë dokumente e konkluzione të dala nga konferencat  dhe samitet ndërkombëtare.

Fatkeqësisht, ky projekt do ta nervozojë sërish po atë strukturë serbo-maqedonase e cila assesi të gjejë mënyrën se si të përndez një konflikt përfundimtar me shqiptarët. Po del puna se, edhe kësaj radhe ua komprometova skenaret dhe dëshirat patologjike!

Megjithatë, ky komprometim ka koston e vet. Kostoja policore do të ishte “të komprometohet faktori stabilizues”! Dhe, të gjithë jemi dëshmitar se çfarë fushate nonshalante po udhëhiqet kundër meje nga disa mediokër në dofarë portale e blogspote që mbajën adresën e shtabeve militare antishqiptare e antiislame. Të komprometuarit përpiqen të më komprometojnë! Përpjekje e kotë, sepse lufta ime është e drejtë dhe e shenjtë – t’i komprometoj dhe t’i neutralizoj të gjitha përpjekjet për ta goditur qenien shqiptare dhe islamin në Maqedoni. Kështu do të jetë deri në frymën time të fundit. Dhe, deri atëherë, nuk e besoj se mund ta shtyjnë këtë betejë serbo-nostalgjikët e nëntokës së këtij vendi.

Lajme të ngjashme

Back to top button