Promovimet partiake s’janë gazetari

Recension: Një popull i tërë përkrah Ali Ahmetit dhe BDI-së (FOTO)]

Misioni i gazetarit është të informojë opinionin për ngjarje me interes të përgjithshëm, që kanë impakt dhe janë të rëndësishëm për opinionin e gjerë. Përmbajtja duhet të ketë karakter informues dhe aspak propagandistik.

download (6)Linku deri te artikulli origjinal: Një popull i tërë përkrah Ali Ahmetit dhe BDI-së (FOTO)

Data dhe koha e publikimit: 11.09.2015

Data e recensionit: 14.09.2015

Recensent: Xhenis Sulimani

Produkti gazetaresk që po e recensojmë ka të theksuar komente në përmbajtje që e bën atë propagandistik.

“Në lëshimin në përdorim shkollën fillore komunale “Sabedin Bajrami” në fshatin Siniçan të Komunës së Bogovinës është vërejt një popull i tërë i kësaj ane”.

Gazetari nuk ka shkruar as dy fjalë për rëndësinë e hapjes së një shkolle që është jetike për fshatin dhe në interes të përgjithshëm, por me shumë mburrje numëron funksionarët e pushtetit që kanë marrë pjesë në këtë ceremoni.

Kulmi i propagandës partiake arrin atëherë kur gazetari nëpërmes fotove tenton ta dëshmojë “pritjen madhështore” të krerëve të BDI-së.

“Zyrtarët e BDI-së janë pritur në mënyrë madhështore, ndërsa kjo shihet edhe nga pamjet e siguruara nga Aktuale.mk.”

Theksimi i kësaj të fundit e bënë produktin të jetë jashtë kornizave profesionale gazetareske, sepse lexuesi më tepër do të dijë për ndërtimin e shkollës, që është në interes të përgjithshëm, se sa për prezencën e funksionarëve. Për faktin se shkolla ndërtohet me parat e shtetit, arka e të cilit mbushet nga populli.

Në tekst s’ka informacione se sa ka kushtuar ndërtimi, sa nxënës do ketë shkolla, nuk ka as fotografi nga vetë shkolla. Për medien fokusi janë njerëzit, interesat e tyre dhe jo politika apo promovimi i tyre.

Është obligim i gazetarit t’i publikojë informacionet për atë që ndodhë në shoqëri. Megjithatë, tekstet në të cilat vërehet qartë anshmëria apo propaganda për ndonjë parti politike nuk ka asgjë të përbashkët me profesionin e gazetarisë.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button