Teksti pa fakte është koment, jo lajm

[Recension: “Partitë e vogla u harxhuan që në start, BDI mbetet e palëkundur”]

Gazetari ose media është një përçues, një ndërmjetësues, i një mesazhi ose informacioni nga dhënësi i informacionit deri te publiku ndaj të cilit gazetari ose media ka përgjegjësi. Atij poashtu i ofrohet mundësia të bëjë edhe më shumë se kaq, të hulumtoj mbi ngjarje të rëndësishme duke mbajtur gjithmonë anën e faktit dhe të vërtetës. Analiza e një gazetari, e pa shoqëruar me fakte, është thjesht koment dhe nuk duhet trajtuar si lajm.

Zhurnal - Partite e vogla u harxhuan qe ne start, BDI mbetet e palekundurLinku për te artikulli origjinal: “Partitë e vogla u harxhuan që në start, BDI mbetet e palëkundur”
Data dhe koha e publikimit: 05.09.2015
Data e recensionit: 06.09.2015
Recensues: Fatlume Dervishi

Në gazetari, lajmi është sinonim i të vërtetës. Për të qenë transparentë përpara lexuesit duhet të shpalosen fakte, të dhëna dhe detaje që kanë nxjerrë në pah një mendim të caktuar dhe t’i lihet hapësirë lexuesit për ta gjykuar.

“Partitë e vogla politike shqiptare … shpejtuan të përcjellin një arsenal të madh sulmesh kundrejt partisë shqiptare në qeveri, BDI, duke menduar se aq lehtë do të mund të gjunjëzohet një koncept politik shqiptar, i etabluar në skenën tonë politike që nga rezistena shqiptare të 2001-shit.”

Në vend që të komentonte ndodhitë, autori mund të tregonte për akuzat që janë bërë në drejtim të partisë shqiptare në pushtet, BDI, në mënyrë që të mund të arsyetonte pse ka përdorur fjalën “arsenal të madh sulmesh”. Ai vazhdon duke e konsideruar subjektin në fjalë “një koncept politik shqiptar, i etabluar në skenën tonë politike”. Është jasht kompetencës, detyrës dhe të drejtës së gazetarit për të bërë vlerësime në baza të bindjeve personale. Ai mund të arsyetonte këto që thotë nëpërmjet vlerësimit të një opinionisti ose analisti politik gjë që nuk e ka bërë.

“Me këtë (pa)strategji të tyre, ato shumë shpejtë i harxhuan të gjitha energjitë e tyre kreative për veprim, dhe tani janë kthyer në sulm ndaj njëra-tjetrës.” Këtu njëanshmëria e autorit bëhet më e theksuar dhe merr fund objektiviteti i informacionit. Përveç faktit që mungon prononcimi i partive që kritikohen nga ana e burimit të vetëm në tekst, këto subjekte politike kritikohen dhe diskreditohen edhe nga vetë autori i tekstit me shprehejet “(pa)strategji e tyre” dhe pretendimin se “shumë shpejtë i harxhuan të gjitha energjitë e tyre kreative për veprim”. Autori nuk tregon se cilat janë arsyet e kanë çuar drejt këtij përfundimi.

Nuk është shumë e qartë pse burimi i deklaratave në teskt është quajtur thjeshtë si “një përfaqësues i lartë i Bashkimit Demokratik për Integrim”. Nëse ky është një përfaqësues i lartë i një subjekti politik, ai ka përgjegjësi publike për transparencë para publikut. Meqë nuk kuptohet niveli i rrezikshmërisë së deklaratave të tij, shkaqet e anonimitetit të tij mbeten mister.

Gjykimi në asnjë mënyrë nuk duhet të bëhet nga gazetari dhe as nga media. Shembujt e këtillë ulin kredibilitetin e medias dhe etiketojnë gazetarin si të njëanshëm.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button