Reportazh në Tabanoc: E mjerueshme gjendja e refugjatëve (FOTO)

Duke e pasur parasysh gjendjen dhe kushtet me të cilat përballen refugjatët, redaksia e lajmeve Portalb, ka dalë në terren, gjegjësisht në pikën kufitare Tabanoc, ku e ka vështruar nga afër situatën. Gjendja e refugjatëve është mjaft e vështirë. Shumë qytetarë të vetorganizuar, por edhe përfaqësues të organizatave të ndryshme joqeveritare u ndihmojnë atyre në forma të ndryshme. Nga ana tjetër, policia çdo natë bën regjistrimin e ndihmëtarëve, ndërkaq tani e tutje, kush do që të dërgojë ndihma, do të duhet atë ta bëjnë nëpërmjet ndonjë organizate joqeveritare që mjetet të cilat janë të destinuara për refugjatët të inspektohen paraprakisht nga Inspektorati Shtetëror sepse në të kundërtën policia s’do t’i lejojë që t’i shpërndajnë.

“Kohën e fundit numri i refugjatëve është rritur dukshëm, më herët kishte nga 1,2 deri më 3 mijë refugjatë në ditë, ndërkaq tani vijnë prej 5 deri në 12,13 mijë refugjatë në ditë. Roli jonë në pikën kufitare është që t’ua lehtësojmë rrugën, duke u ofruar një pako të vogël e cila përmban një bukë, pashtetë, ujë dhe një lëng. Përveç ndihmave me mjete të nevojshme ushqimore, preparate higjienike apo dhe veshmbathje, ne i udhëzojmë edhe për rrugën se nga duhet të vazhdojnë më tej. Kohën e fundit, kushtet atmosferike kanë bërë që refugjatët të kenë vështirësi më të mëdha gjatë udhëtimit të tyre, ndërkaq ne si organizatë bashkërisht me organizata tjera dhe qytetarë vullnetarë po vazhdojmë t’u ndihmojmë refugjatëve me të gjitha mënyrat që kemi mundësi”, ka thënë për Portalb Driton Maliqi, koordinator i OJQ Legis, në pikën kufitare Tabanoc.Portalb, Refugjat

Portalb në terren takoi shumë qytetarë që vullnetarisht kishin shprehur dëshirë për t’u ndihmuar refugjatëve. Ata shprehen të shqetësuar për gjendjen dhe bëjnë apel që gjithkush në çfarëdo lloj mënyre t’u dalë në ndihmë këtyre të përvuajturve.

“Shpresoj që kjo trazirë të jetë e fundit. Edhe ne si shqiptarë e kemi përjetuar këtë ndjenjë në 99-tën dhe 2001-shin, dhe duhet thënë që s’ka ndjenjë më të keqe se ajo e të qenurit refugjat. Bashkë me disa mikesha jemi vetorganizuar dhe me mundësitë tona kemi ardhur që t’u ndihmojmë sado pak këtyre nevojtarëve. Fatmirësisht, shqiptarët si gjithmonë janë bujarë e mikpritës dhe ju ndihmojnë vazhdimisht atyre. Ata kanë nevojë për gjëra elementare duke nisur nga uji për pije, ushqim, batanije  dhe veçanërisht për fëmijët e vegjël, kapela, shalle, doreza dhe qumësht”, ka thënë për Portalb, Minka Ramuka, qytetare nga komuna e Çairit të Shkupit.

Për Portalb u prononcua edhe Fatime Lamallari, qytetare nga komuna e Çairit të Shkupit e cila thotë që kësaj situate nuk duhet t’i jepen përmasa fetare apo kombëtare, por vetëm njerëzore.

“Në këtë rast nuk duhet të shihet feja apo kombi, por aspekti njerëzor. Kush ka mundësi, në forma të ndryshme mund t’u ndihmojë sepse vërtetë gjendja e tyre është e mjerueshme. Këto nuk kanë ikur nga qejfi, as për atë që të kërkojnë luks, por secili prej tyre ka ikur që ta shpëtojë kokën dhe familjen e vet”, është prononcuar për Portalb Fatime Lamallari.

Nga disa biseda private Portalb mëson se ende ka keqpërdorime të refugjatëve nga disa fshatarë të rrethit të Tabanocit, kryesisht serb. Ata mundohen t’u shesin produkte me çmime marramendëse, veç asaj të njëjtët sillen çdo ditë e natë rreth e qark kësaj zone dhe mundohen me mënyra të ndryshme t’i vjedhin apo t’i mashtrojnë refugjatët.

Portalb, Refugjat“Keqpërdorime ka, mirëpo nuk është si më parë, policia po mundohen t’i parandalojë këto probleme edhe pse në tërësi është mjaft rëndë. Para disa netëve ka pasur disa acarime ndërmjet një policit dhe disa fshatarëve nga fshatrat e rrethit të Tabanocit, ku fshatarët donin t’u shisnin refugjatëve disa produkte, por fatmirësisht policia ka intervenuar dhe tani për tani gjithçka është në rregull. Përveç kësaj kemi edhe një ankesë sa i përket pastërtisë, nga pushteti lokal nuk janë të angazhuar askush që të vijnë dhe ta pastrojnë vendin, por të gjitha vet po i bëjmë. Kërkojmë që të paktën të na ndihmojnë sepse vërtetë pastërtia është në nivel të ulët”, ka thënë për Portalb Mevludin Shabani, banor i lagjes Hasanbeg të Shkupit.

Lajme të ngjashme

Back to top button