Shefi i OKB: Thirrje evropianëve t’u ndihojnë refugjatëve

Sekretari Ban Ki-moon, ka pranuar se Këshilli i Sigurimit i OKB-së po dështon në konfliktin e Sirisë edhe për shkak të ndarjeve të fuqive të mëdha.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon u ka bërë thirrje udhëheqësve të disa vendeve evropiane që të veprojnë me përgjegjësi dhe në mënyrë humane ndaj refugjatëve që vijnë në kufijtë e vendeve të tyre dhe i ka ftuar në një takim mbi migracionin në fund të këtij muaji në New York.

Sipas zëdhënësit të OKB, Ban ka thirrë udhëheqësit e shtatë vendeve evropiane të Austrisë, Republikës Çeke, Gjermanisë, Greqisë, Hungarisë, Polonisë dhe Sllovakisë, të cilëve u ka thënë “se pjesa më e madhe e njerëzve që vijnë në Evropë janë refugjatë që ikin nga lufta dhe dhuna dhe që kanë të drejtë të kërkojnë azil pa asnjë formë të diskriminimit.”

Sekretari Ban Ki-moon, ka pranuar gjithashtu se Këshilli i Sigurimit i OKB-së po dështon në konfliktin e Sirisë edhe për shkak të ndarjeve të fuqive të mëdha, të cilat kanë penguar një veprim për t’i dhënë fund konfliktit që tani ka marrë qindra, mijëra jetë dhe ka nxitur eksodin më të madh të refugjatëve që ka parë ky brez.

Duke qenë më konkret në kritikën e tij, Sekretari Ban në një intervistë të dhënë gazetës Guardian, e cila u shpërnda në OKB, ka aluduar në Rusine e Kinën duke thënë se ato duhet të “shohim përtej interesave të tyre nacionale” dhe të mos e bllokojnë veprimin e Këshillit të Sigurimit.

Ban megjithatë nuk i ka përmendur me emër Rusinë dhe Kinën, të cilat në disa raste kanë bllokuar rezolutat që ishin kritike ndaj qeverisë siriane dhe që kërkonin një zgjidhje të negociuar të konfliktit.

Edhe në një rezolutë me të cilën Këshilli kërkonte që konflikti të hetohej nga Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte, ndonëse mori votën e 13 vendeve të tjera, ajo u bllokua nga Rusia dhe Kina.

Ban edhe më parë ka folur për “turpin” dhe “zemërimin” që ndjen për shkak pafuqisë dhe pavendosmërisë së bashkësisë ndërkombëtare për të ndalur luftën në Siri.

Lajme të ngjashme

Back to top button