Promovimi nuk është punë e gazetarit

[Recension: BDI nuk përçahet kollaj. Edhe “rebelët” përkrah Ali Ahmetit]

Gazetari nuk guxon të bëjë propagandë dhe promovim në favor të asnjë individi apo subjekti. Kjo është punë e specialistëve të marrëdhënieve me publikun dhe materialet e tilla duhet të jenë shumë qartë të ndara nga materialet gazetareske. Arsyeja është shumë e thjeshtë, gazetaria bazohet totalisht në fakte kurse propaganda dhe promovimi kanë lidhje rekalimin.

Aktuale - BDI nuk percahet kollaj, Edhe rebelet perkrah Ali Ahmetit 1Linku për te artikulli origjinal: “BDI nuk përçahet kollaj. Edhe “rebelët” përkrah Ali Ahmetit”
Data e publikimit: 03.09.2015
Data e recensionit: 03.09.2015
Recensues: Fatlume Dervishi

Teksti që recensojmë, që në titull, të jep përshtypjen se bëhet fjalë për një tekst të mbushur me komente personale të autorit. Përzgjedhja e fjalëve “kollaj” (që nuk është as fjalë shqipe) flet për një vlerësim që nuk është në kompetencat e gazetarit por të atyre që janë të preokupuar më atë përgjegjësi. E dyta, përdorimi i fjalës “rebelët” edhepse e futur në thonjëza etiketon një grup personash për të cilat autori nuk ka parashtruar asnjë fakt konkret pse janë të tillë, pse ka vendosur t’i emërojë ashtu.

Bazuar në një video xhirim, autori ka marrë iniciativën të bëjë një lajm mbi një çështje të rëndësishme politike në vend. Ajo që e bën këtë tekst të mos jetë i plotësuar është mungesa e burimeve, e deklaratave të krerëve të kësaj partie dhe të “rebelëve” (siç i quan gazetari) për të mbështetur pohimet që bëhen dhe për të informar lexuesin më në detaje për arsyet dhe mbarvajtjen e këtij takimi.

Në mungesë të këtyre të informacioneve, autorit “i ka rënë në dorë” një video e cila në mënyrë të qartë është video për qëllime promovuese. Promovimet dhe reklamat kanë shumë pak lidhje me realitetin dhe gazetarët duhet t’i marrin me shumë rezerva materialet e kësaj natyre. Kjo bën konfuz lexuesin i cili e ka të vështirë të dallojë materialet propaganduese nga teksti i vërtetë gazetaresk.

Kodi i gazetarëve të Maqedonisë dënon këtë formë informimi dhe e citon atë si të papranueshme:

“Çdo lloj publikimi komercial, si dhe propagandë politike që nuk janë të veçuara sakt vlerësohen si shkelje e rëndë e standardeve profesionale.”

Autori nuk ka bërë asnjë përpjekje për të na dëshmuar se në “mbledhjen e radhës diskutohen zhvillimet politike në vend, si që është respektimi i marrëveshjes së 2 qershorit dhe perspektiva e vendit për në BE dhe NATO” dhe as për “atmosferën konstruktive dhe debatin demokratik që mbizotëron në këtë mbledhje”. Asnjë burim për të dëshmuar pohimet që as një video pa zë nuk i dëshmon për lexuesit.

Fundi “Me këtë edhe bien poshtë pretendimet për kinse përçarje në BDI, ndërsa kjo po dëshmohet edhe nga fakti se bashkëpunëtorët e Ahmetit qëndrojnë qind për qind të rreshtuar pas liderit të partisë, Ahmeti” është konstatim i vetë gazetarit që nuk duhet të ishte pjesë e një teksti që servohet si lajm.

Teksti është vepër origjinale e zhurnal.mk dhe janë bërë vetëm disa ndryshime shumë të vogla gjatë ripublikimit. Autori që vendosi të ripublikonte tekstin, duhet të kishte bërë një tentativë për të verifikuar atë që transmeton media tjetër. Profesionalizmi nuk mjaftohet vetëm me atribuimin e përgjegjësisë, drejt medias që publikoi e para tekstin.

Lajme të ngjashme

Back to top button