Kur sytë buzëqeshin

“Toni, kam një kërkesë që ti lirisht mund ta refuzosh. Ta shkruaj kolumnën e rradhës te ti për nja dy orë dhe të të sjell drekë të shëndetshme? Kafen, sipas traditës, do ta bësh ti. Mjeshtri kompjuteristik, shok banke i fillores, kthehet të mërkurën, ende jam pa laptop. Përsëri: s’ka dert nëse është Jo, vetëm ma thuaj të lutem derisa jam në qytet që të shoh tjetër çare”.

(I shkrova sms shokut gazetar që e kam në lagje; vite me rradhë pijmë kafe tek ai të dielave paradite, gjithmonë atëherë. Banesa e tij e vogël është e stërngarkuar me libra, revista njëra mbi tjetrën, CD me muzikë të mirë. Tavolinën e punës e ka përplot fleta me shënime, lapsa, tavlla me duqe cigaresh. Televizori rri gjithmonë ndezur me ton që dobët dëgjohet, por prap nuk i shkon ambientit rrotull.

Ai flet pak, ndonjëherë hiç. Ama dëgjon mirë. Zakonisht nevojitet extra-investim që të shpërthejë në të qeshura, është nga ata që buzëqeshin me sy më shumë se sa me buzë).

“Sot edhe unë kam shumë punë në kompjuter dhe më duhet të dal në 19h. A do mundesh për një orë ta shkruash tekstin? Ama të kalojmë vetëm me kafe, pa drekë, s’kemi kohë”

(Unë veçmë kisha bërë plane për ushqim të shpejtë, të mirë. Ai duket aq thatanik sa ideja e parë kur jemi njohtuar ka qene “sikur t’ia mbushja një pjatë me gjellë dhe ti rrija afër derisa ta kryejë të tërën”. Duket si ata që hanë rrallë dhe pak.

Jemi njohtuar në TVM ku punonim si gazetarë të posadiplomuar. Gjithmonë më bënin përshtypje kronikat e tij, kurse në atë ambient punues gjysëm-provincial dhe rrejshëm-puritan më shumë se dhuntia e tij e shkrimit binte në sy dobësia trupore që ngjallte dyshime të pabaza si dhe muzika alternative që ai e dëgjonte me pasion kurse atyre me mejnstrim-shije u tingëllonte ekstremisht e huaj. Por mendoj se mbi të gjitha e konsideronin të çuditshme heshtjen e tij këmbëngulëse e cila fliste pa zë).

“Do provoj miku, askush asgjë nuk di pa provuar. Nëse ia dal, do jetë kolumna më e shpejtë e të gjitha kohërave të mia”.

(Toni është një tip mjaft serioz. Maksimalisht i dhënë punës së vet, i mendon gjërat gjatë, planifikon “si në kohë socializmi” i them ndonjëherë, mat e çmat me kujdes. I dukem shutrake ngaherë me dinamikën ditore ose me bindjen time se disa punë  mund të kryhen shpejt dhe lehtë. Nuk ma thotë, por e mendon. Njihemi mjaftueshëm gjatë që të deshifrojmë, siq e thotë Poeti “hijeroglifet e heshtjes” së njëri-tjetrit.

Maqedoninë e njeh si xhepin e vet, është konsultanti im kryesor për udhëtimet në vend. Ka shetitur edhe shtete tjera, kuptohet. Nuk mund të kesh qenë tërë kohën brenda, posaçërisht në vend gjysëm-provincial dhe rrejshëm puritan e të pretendosh të jesh mendjehapur.

Ka punuar në disa revista serioze. Të gjitha u fikën. Kujt i interesojnë sot revista të tilla? Kujt i duhet profesionistë me tamam? Njerëz me kurriz joelastik që e ndërtojnë jetën e vet mbi parimet e veta?

Por prap mendoj se talenti dhe puna nuk dalin mode.

Toni gjeti punë. Vazhdon me shkrimet e veta që i shkruan me merak, me nge, mat dhe çmat çdo fjalë.

Dhe çuditet me mua kur i them se mbaroi kolumna. Më dha pak bonus, një orë e gjysëm.

Ky është vërtet shkrimi më i shpejtë i të gjitha kohërave të mia.

Javën tjetër kthehet Armendi, ma ujdis laptopin e thyer nga maltretimet e leximeve gjatë natës, dhe ulem dhe “shkruaj si njeri” – thotë Toni.

Ai haberin nuk e ka se teksti është për të.

Kur do t’ia përkthej, do të jetë vonë për përmirësime.

“A be Lindita” do të me thotë, e di, me buzëqeshjen me sy më shumë se sa me buzë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button