Preludi i ardhmërisë së keqe

(Duhmë e zezë)
 
    Absurdi që po ndodh me tekstet shkollore në Maqedoni  është akti fundor i durimit të mësimdhënësve në shkollat e mesme dhe në ato nëntëvjeçare. Politika e këtushme përpiqet t’i varros vlerat nacionale duke bastarduar historinë, gjeografinë, gjuhën, muzikën, përmes teksteve shkollore, me qëllim që realiteti sublim të mos futet në vesh të nxënësve shqiptarë.  Mbase ky reagim nuk do të mund të jetë zë për çdo vesh, por heshtja nuk do t’i printe mbarësisë së sistemit demokratik, ku domosdo duhet të respektohet ligji për lirinë e mendimit dhe lirinë e të shprehurit të qytetarëve. Në këtë shtet ku shqiptarët definohen si qenie të egërsuara nga ca të ardhur që janë bërë zot, fshihen me gomën e trillimeve perlat kulturore dhe historike. 
Edhe pas shumë shtrembërimeve dhe përrallave në librat e historisë, marrëzirat arrijnë kulmin në librat “didaktik” muzikor, ku përveç asaj që në ato libra nuk ka kompozitorë shqiptarë, as tekste nga autor shqiptarë, as perlat e këngëve shqipe si: Moj e bukura more, Margjela, Baresha, Veleshtarja etj. në këto libra hasen vetëm këngë popullore maqedonase të kompozuara nga autor maqedonas  dhe të përkthyera aq keq, aq me gabime gjuhësore, aq pa logjikë sa që tërë libri bëhet një mishmash. “Marifeti” i autorëve shihet që në titujt e këngëve të përkthyera gabim: “Jana pyll ndërtoj” ose “ Eja Millkë të ikim” ose “ Unë të çova për ujë Kalinë” ose këngën kryesisht me ngjyrim nacionalist  “Posllushajte patrioti” në shqip  “Ndëgjoni atdhetarë” etj. Në libra ka mbet pa u përfshi vetëm kënga ” Tri devojki tikvi brale bre-hë…” Në këto tekste muzikore, asnjë rrokje e fjalës nuk përshtatet me notat. Dhe tani shtrohet pyetja se si mund ta kapërdijnë nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit këtë punë fantazmash. Nuk besoj të ketë ndodhur një absurd i këtillë në tërë rruzullin tokësorë.
Në strumbullarin e këtyre punëve të shëmtuara, qëndrojnë njerëz me mungesë vullneti për bashkëpunim me individë që posedojnë kompetenca intelektuale me qëllim që gjeneratave të reja t’ju ofrojmë tekste filigrane, ashtu si ju takon dhe ashtu si e meritojnë nxënësit tonë.
Edhe librat e historisë bashkë me librin e gjeografisë ku shtrembërohet dhe bëhet përrallë identiteti absolut i shqiptarëve janë pjellë e qëllimkëqinjëve që nuk ia duan të mirën këtij vendi. Gjithë këto tortura psikike nuk mund ta prekin dinjitetin, sedrën e shqiptarit dhe  identitetin si bazë e kombit.
Gabime tragji-komike mund të hasim edhe te libri i Gjuhës shqipe për klasët e gjashta nëntëvjeçare, i cili më shumë përngjan në një doracak për kursist. As gramatika, as fragmentet e romaneve, novelave dhe dramave të botuara në këtë libër shkollor, nuk përkojnë me moshën e nxënësve. Aty hasen fragmente të autorëve të huaj dhe shqiptarë që i përkasin letërsisë për të rritur të cilët mësohen në shkollat e mesme dhe në arsimin e lartë si psh.” Oxhaku” nga Mihajl Grameno etj.  Në libër harrohen qëllimisht ose gabimisht krijuesit e letërsisë shqipe për fëmijë si; Odhise Grillo, Rifat Kukaj, Fejzi Bojku, Nuhi Vinca, Ramadan Zeneli etj. Përse autorët e këtij libri kanë marr fragmente nga dramaturgët e mëdhenj botërorë, kur në letërsinë shqipe ( nëse e përcjellin punën e krijuesve) kemi edhe drama për fëmijë me tema dhe ide shumë më atraktive dhe domethënëse. Të gjithë arsimtarët e gjuhës shqipe vuajnë  të zitë e ullirit me këtë libër, i qahen njëri – tjetrit dhe disa vite me rradhë shpresojnë se ky libër do të hiqet nga përdorimi.
Tani, në këto kohëra kur vetëdijësimi, ndërgjegjësimi dhe bashkimi kulturor na jep mundësi për krijimin dhe ruajtjen e vlerave, ne shqiptarët e kësaj ane po futemi në errësirën e një guve të thellë, nga e cila nuk do të mund të shpëtojmë pa u përbaltur.

Lajme të ngjashme

Back to top button