Historia e Ajlan, vogëlushit të vdekur në brigjet turke

Kriza e klandestinëve po shkakton tragjedi të rënda, edhe në mesin e fëmijëve, ku shumë prej tyre po humbasin jetën në përpjekje për ti shpëtuar konfliktit në shtëpitë e tyre. Një fat tragjik pati edhe 3 vjeçari nga qyteti sirian i Kobanit, Aylan Kurdi, trupi i të cilit u gjet i mbytur ne brigjet e Bodrumnit në Turqi.

Fotoja e tij e publikuar nga mediat ndërkombëtare, transmeton oranews, ka shkaktuar tronditje dhe ka ngjallur reagime të ashpra edhe nga zyrtarë të lartë europaine.

3 vjeçari së bashku me vëllanë 5 vjeç dhe nënën e tyre nuk dolën dot të gjallë në bregun tjetër, pasi anija me të cilët ata udhëtonin u mbyt. Vetëm babai i tyre arriti të mbijetonte.

Kjo nuk ishte përpjekja e parë e familjes për tu larguar nga Siria.

Në korrik, ata tentuan të emigrojnë për në Kanada ku jeton halla e tyre por aplikimi për vizë u refuzua nga autoritetet kanadeze.

I tronditur nga humbja e rëndë, babai i dy vogëlushëve, tashmë nuk ka më asnjë dëshirë për të nisur një jetë të re në Europë, prandaj thotë se do të rikthehet në Kobani për të varrosur familjen dhe për të pritur atje vdekjen.

E njëjta tragjedi ka prekur një tjetër familje klandestinësh, ku dy vëllezër 11 dhe 9 vjeçar janë mbytur pasi varka e tyre është përmbytur, ndërsa nëna dhe motra 7 vjeçare arritën të mbijetonin.

Dhe ndërsa tragjeditë shtohen çdo ditë, ky 13 vjeçar që është larguar së bashku me të motrën nga Siria ka një lutje për perëndimin: meqenëse policitë në Serbi, Hungari, Maqedoni dhe Greqi nuk i pëlqejnë sirianët, atëherë në ndihmoni të ndalim luftën. Ne nuk duam të shkojmë në Europë. Ndaloni luftën në Siri,” ka thënë ai për Al Jazeeren ndërsa priste trenin në stacionin e Budapestit.

Por përtej tragjedive, në kampet e improvizuara shumë fëmijë të tjerë kanë ardhur në jetë. Në Budapest dy nëna kanë zgjedhur emra simbolike si Shpresë apo Strehë për të vegjlit e tyre, me shpresën se e ardhmja do të jetë ndryshe.

Lajme të ngjashme

Back to top button