LR-PDSH: 1 Shtator nxënësit shqiptar përballen me shumë probleme!

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollorë Lëvizja për Reforma-PDSH sot mbajti konferencë për media me çrast të gjithë nxënësve dhe profesorëve iu urua një fillim i mbarë, ndërkaq u kritikua për ngecjet e investimeve shtetërore në këtë sferë.

Udhëheqësi i zyrës së informimit në Lëvizje, Faton Murseli dhe udhëheqësi i departamentit të Arsimit Sheval Memishi kritikuan ministrinë e arsimit për premtimet e dështuara dhjetravjeçare sidomos në rajonet shqiptare.

Konferencën e plotë mund ta lexoni në vijim:
Të dashur nxënës, gjimnazistë dhe Ju që për herë të parë uleni në bankat shkollore, Gëzuar 1 shtatorin, ditën e fillimit të vitit të ri shkollor. Duke Ju dëshiruar shëndet të plotë, duam t’ju urojmë suksese dhe mbarëvajtje të procesit mësimor. Njëkohësisht këtë urim ua drejtojmë edhe prindërve dhe mësimdhënësve për sakrificën që ata bëjnë në funksion të edukimit dhe arsimimit të fëmijëve tanë.

Natyrisht që në gjendjen në të cilën ndodhemi, arsimi nuk përbën përjashtim. Jemi në një kohë kur rrezikohemi seriozisht nga errësira e padijes. Megjithatë rruga nga e cila mund të bëhet ndryshimi fillon sot , tek këto banka shkollash.

Ne jemi të vetëdijshëm që përballemi me kushte jo të mira në arsim, me shkolla të rrënuara, pa ngrohje e pa energji elektrike. Ne jemi të vetëdijshëm për ministrin që flet shqip dhe me tekste shkollore që ofendojnë shqiptarët, për një ministër dhe një parti politike që nuk ka aspak fuqi që të ndryshojë një emër shkolle, që nuk ka fuqi të rregullojë problemin disavjeçar të fëmijëve shqiptarë të Podgorcës e që nuk mund të shtojë numrin e paraleleve shqiptare duke bërë kështu që nënësit shqiptarë të mësojnë në klasa me nga 40 nxënës. Po , ne jemi të vetëdijshëm që një parti politike para kushteve elementare për arsim premton kushte maksimale, të udhëhequr nga logjika e përfitimit nga tenderi i tabletave.

Prandaj, eliminimi i të gjithë këtyre dukurive dhe elementeve të dëmshme të shoqërisë shqiptare, duhet të jetë motiv shtesë për t’iu përkushtuar arsimit dhe për të nxjerrë kuadro cilësorë që do ta çojnë përpara interesin shqiptar në përgjithësi. Arsimimi i gjeneratave të reja, rritja e cilësisë së mbarëvajtjes së procesit arsimor, është rruga e gjatë por e sigurt drejt progresit.

Njëkohësisht, ju premtojmë se me marrjen e legjitimitetit nga populli shqiptar, Lëvizja për Reforma – PDSH, do të ndalojë njëherë e përgjithmonë këtë logjikë të mbrapshtë të menaxhimit me arsimin shqiptar në Maqedoni me plan dhe strategji të qartë .

Pa dalë aspak nga atmosfera e ziles së parë në shkollë, edhe njëherë dëshirojmë që të gjithë nxënësve në veçanti, por edhe mësimdhënësve e prindëve u urojmë një vit të mbarë shkollor!

Lajme të ngjashme

Back to top button