Iseni : Plot portale profesion kanë plagjiatin, senzacionin, manipulimin

Në prag të një takimi, që do të zhvillohet në mes të muajit shtator, ku në fokus do të jetë përparimi dhe realiteti i medies shqiptare në Maqedoni, po zhvillohen një cikël intervistash, si dëshirë për të hapur debat dhe për të nxitur apo dhe evidentuar sfidat dhe arritjet e medieve shqiptare.

Ju sjellim intervistën me Drejtorin e platformës Albinfo.ch, Bashkim Iseni, Doktor i shkencave politike dhe Hulumtues Shkencor në Universitetin e Neuchatelit, Zvicër.

Në ditët në vijim do të pasojnë edhe intervista të tjera me drejtues dhe ekspertë të medieve. 

 

Bashkim_version_finalBashkim Iseni, drejtor i albonfo.ch, duke bërë një prerje të realiteteve mediatike në Zvicër, ku verpon dhe këtu, nga vendi nga ku vjen, sjell një këndvështrim të zhvillimit të medieve në gjuhën shqipe.

Ai thotë se portalet në rritje nuk do të thotë se sjellin më shumë informacion, flet për rrezikun nga “sundimi” i medieve prej politikës, por vlerëson edhe ndikimin e medies shqip. Megjithatë thotë se duhet më shumë kujdes për profesionin e gazetarit, sepse “si profesion është degraduar në Ballkan ngase pikërish mediet nuk e luajnë totalisht rolin e tyre si kritik të shoqërisë apo dukurive të ndryshme politiko-shoqërore dhe se gazetari nuk e gëzon mbrojtjen që e meriton, si segment me rëndësi shoqërore”.

Na tregoni pak për punën e platformës albinfo.ch! Me sa gazetarë funksionon? Si i merrni informacionet nga vendlindja? Si finansohet kjo medie?

Iseni: Online që në tetor, 2010, platforma mediale profesionale Albinfo.ch është dritarja kryesore informative e diasporës shqiptare në Zvicër dhe më gjerë. Albinfo.ch publikon, çdo ditë, me dhjetëra lajme nga vendngjarja si dhe aktualiteti në Ballkan dhe Zvicër.

Pas pesë vitesh funksionimi të rregullt, ajo sot konsiderohet si ndër mediet më serioze shqiptare në diasporë, për nga cilësia, origjinialiteti dhe paanshmëria e informatave. Albinfo.ch ka një veprim dhe impakt të gjerë, pra platformë në plot kuptimin e fjalës ku përfshihen :

–      Lajme ditore online në tre gjuhë (shqip, gjermanisht dhe frengjisht), me shkrime të thella, dosje dhe lajme serioze të aktualitetit në Zvicër, Ballkan dhe më gjerë, agjendë ditore, shërbime online mbi diasporën si dhe jetën shoqërore të saj. Albinfo.ch llogarit në mbi 1 milion vizita mujore!
–      10 mijë revista tregjuhëshe mujore, Albinfo.ch, falas, me një cilësi të lartë si dhe system të shpërndarjes në qendrat të ndryshme që frekuentohen nga mërgata shqiptare,
–      Emisioni televiziv “Diversité” në gjuhën  frenge,  me transmetin me “La Télé Vaud-Fribourg” ;,
–      Emision televiziv “In & Out”, në shqip, me transmetin në Radio Televizonin e Kosovës (RTK) ,
–      Produksione të dokumentarëve filmik për institucione të ndryshme publike relevante në Zvicër,
–      3-4 Tryeza vjetore me pjesmarrës të njohur shqiptaro-zviceran ,
–      Konferencë vjetore tradicionale,
–      Prezencë aktive në mediet dhe tribuna të ndryshme zvicerane.

Albinfo.ch është partnere e shumë medieve zvicerane dhe shqiptare me peshë. Ajo finansohet nga instanca federale relevante zvicerane si dhe nga aktorë tjerë publik dhe privat. Platforma Albinfo.ch poashtu udhëheq projekte të ndryshme mbi integrimin dhe zhvillimin në bazë të mandateve publike apo private.

Momentalisht janë të angazhuar tetë gazetarë (part time) si dhe dhjetëra korrespondentë, katër përkthyes, dy lektorë, një community manager, dy webmaster, dy kameramanë (part time dhe me mandate). Albinfo.ch numëron poashtu edhe udhëheqës të projekteve me mandate që i ka fituar. Një pjesë konsekuente e punës së Albinfo.ch bëhet poashtu në bazë vullnetare.

Sa e vështirë është të menaxhohet një portal me seli në diasporë por me tema që tentojnë të fitojnë interesimin e të gjithë lexuesve shqiptar?

Iseni: Nuk është punë e vështirë menaxhimi sa është e vështirë që përmbajtja e lajmeve të platformës sonë të gjejë interes tek publiku shqiptar i diasporës, ai i Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë, si dhe zviceranëve apo gjermanëve etj. Për ne, është me rëndësi që ta artikulojmë sa më afër realitetin e diasporës në vendet e Ballkanit por edhe në vendet perëndimore ngase nuk i njohin ato sa duhet, përpos disa stereotipeve apo klisheve reciproke. Nga ana tjetër, mundohemi që imazhi i Ballkanit të mos pësojë në opinionin zviceran sepse asociohet vetëm me dukuri negative (dhunë, luftëra, migrime masive, etj…). E gjith kjo punë e informimit serioz duhet pastaj të mbështillet me ambalazh joshës, gjë që nuk është e lehtë. Veq kësaj. Si strukturë që del nga suazat e një mediumi klasik, pra kërkon edhe resurse njerëzore, financiare dhe teknike për t’i realizuar projektet e ndryshme gjatë vitit. Kjo është ana më e vështirë e menaxhimin me të cilën ballafaqohemi, sepse kërkon një polivalencë të ekipit edhe si medie si edhe strukturë joqeveritare. Jam i lumtur që ekipi i Albinfo.ch identifikohet me shumë krenari me këtë strukturë të organizimit korporativ (corporate governance).

Sipas jush numri në rritje i portaleve, ka sjellur më shumë informacion për publikun?

Iseni: Nuk jam i sigurt se rritja kaotike sjell informacion shtesë për publikun, së paku jo nga ana cilësore. Problemi qëndron se krahas medieve online mainstream, që funksionojnë sipas parimeve minimale etike, lindin plot portale që profesion e kanë plagjiatin dhe senzacionin, duke manipuluar me tituj dhe intriga, vetëm për të përfituar reklama ad sens. Disa herë ka ndodhur që lajmet janë botuar nëpër portalet në fjalë pa u verifikuar informatat, gjë që edhe e zhvlerëson median si dhe rëndësinë e tij si aktor shoqëror me relevancë. Problemi shtrohet se kush e merr përgjegjësinë në rast se komplikohen gjërat. Sa për fund, web-i ka shumë avantazhe, por njëkohësisht duhet të funksionojnë ca minimum rregulla të lojës.

Në ç’raporte jeni ju (si albinfo.ch) me portalet tjera, por edhe me mediat e tjera që veprojnë në viset shqiptare? Bashkëpunoni për të këmbyer informacione?

Iseni: Kemi raporte të mira dhe korrekte me shumicën e medieve kryesore zvicerane dhe shqiptare. Në hapësirat e Ballkanit, bashkëpunojmë veçanërisht me ato të Kosovës. Natyrisht, jemi të interesuar të zhvillojmë bashkëpunime serioze me mediet e Maqedonisë, duke u nisur nga fakti se diaspora e këtij vendi është një resurs financiar dhe daunë të kontribojnë për zhvillimin e atij vendi.  Nganjëherë ndihemi të frustruar kur një reportazh apo shkrim nga terreni mbi të cilin kemi punuar me ditë të tëra, pesë minuta pas publikimit merret copy paste, pa autorizim dhe botohet në portalet tjera, qoftë me citim, të pjesërishëm apo pa citim të burimit. Konstatojmë se Albinfo.ch është burim ditor i informatave për mediat shqiptare në Ballkan mbi diasporën shqiptare, aktualitetin e Zvicrës dhe më gjerë.

A e shikoni të nevojshme që të shtohet numri i mediave që veprojnë në diasporë dhe a e shihni ju si gjë positive konkurrencën?

Iseni: Konkurrenca është shumë pozitive për secilin medium apo ndërrmarrje, por prej momentit që konkurrenti inovon, sjell risi, është më i shpejtë, më profesional. Mjerisht, kështu nuk ndodh në diasporë kur ca “medie” lindin sporadikisht, mundohen ta bëjnë hap pas hapi të njejtën punë si ne (pas asnjëfar ndryshimi, zhduken). Janë poashtu portale që marrin lajme nga gjetiu dhe që i plotësojnë herë pas herë me ngjarje të tyre. Veq kësaj, shpeshherë ndodh portalet në fjalë dalin nga rezerva e instancave neutrale të informimit. Dua të ritheksoj se ne jemi shumë më shumë se një medie, pra edhe një instance lobimim në kuptimin fisnik të fjalës.

Meqë jeni Doktor i Shkencave Politike, si janë marrëdhëniet politikë-medie në Ballkan? Si i shikoni?

Iseni: Konstatoj se në mungesë të një rrjeti ekonomik prodhues solid të cilit i nevojiten mediat për të kulluar apo promovuar produktet në treg, mediat janë të mvarura nga resurset financiare shtetërore, pra të vullnetit politik, gjë që ndikon në një lloj autocenzure, sepse nuk mund të funksionosh si medie profesionale pa mbështetje financiare konsekuente.  Si profesion është degraduar në Ballkan ngase pikërish mediat nuk e luajnë totalisht rolin e tyre si kritik të shoqërisë apo dukurive të ndryshme politiko-shoqërore dhe se gazetari nuk e gëzon mbrojtjen që e meriton, si segment me rëndësi shoqërore. Më kujtohet një bisedë me një mik zviceran, gazetar shumë me emër. Më pati thënë se e kishin kritikuar një koncesioner veturash. Ai kishte ardhur në redaksi duke i thënë se mund t’i harroje reklamat në mediat e tija. Ky miku i ishte përgjigjur ; po mund t’i ndalni reklamat, por edhe vetura nuk do të shitni!

Si medie që vepron jashtë vendit, totalisht e pavarur nga politika ditore, vlersoni që jeni më pak të predispozuar për presione nga politika, në krahasim me mediat që veprojnë në Maqedoni?

Iseni: Po. Kemi shumë fat që nuk jemi në asnjë mënyrë të nënshtruar nga ndonjë presion politik, kudo që të jetë ai. Kemi lirinë e shprehjes, mendimit, por në përputhje me kartën e Albinfo.ch të cilën mundni ta lexoni online : http://www.albinfo.ch/karta/

Meqë vetë jeni nga Maqedonia dhe i ndiqni mediat që veprojnë këtu, në ç’nivel gjykoni se janë ato dhe çfarë duhet të ndryshojë për një zhvillim pozitiv?

Iseni: Fatkeqësisht në Maqedoni mediat kanë bërë hapa të ngadalshëm në zhvillimin e tyre krahas vendeve tjera të rajonit. Nuk janë për t’i lavdëruar as mediat në vendet fqinje, por në Maqedoni kësaj gjendje i ka ndihmuar ndikimi i jashtëzakonshëm i pushtetit ndaj mediave por edhe gjendja e vështirë ekonomike që reflekton në gërshetimet e interesave të grupacioneve të ndryshme që sjellin  censurën dhe vetëcensurës. Nga ana tjetër drejtues të mediave në Maqedoni ankohen për shpërndarjen e mjeteve finaciare nga ana e qeverisë vetëm për një pjesë të mediave. Do të thotë janë shumë faktorë të cilët rangojnë Maqedoninë në fund të listës së vendeve në rajon sipas “Freedom House”. Për një zhvillim pozitiv duhet  të ketë sovranitetit medial në Maqedoni por edhe transformim të vet mediave, të cilat shumë ngadal po sjellin ndryshimet e nevojshme për vendin. Do të thotë, autoritetet në Shkup e kanë detyrimin të krijojnë një ambient  të sigurtë për gazetarët, ku ata të mund të raportojnë të lirë dhe pa ndërhyrjen e qeverisë. Si do që të jetë edhe pse shumë gjëra kanë ndryshuar, atmosfera për mediat në shumë vende të Ballkanit ende karakterizohet nga rreziku dhe armiqësia, më shumë se sa nga përmirësimi si pjesë e zhvillimit demokratik të rajonit.

Ka një vlerësim që mediet në gjuhën shqipe po marrin një peshë më të madhe, përtej shqiptare në Maqedoni, a pajtoheni me këtë konsatim?

Iseni: Është fakt se mediet në gjuhën shqipe po marrin peshë më të madhe, dhe atë falë kyçjes së hapësirave shqiptare në sferat perëndimore. Kjo e fundit ndodhi me prezencën ndërkombëtare të rëndësishme në Kosovë qe mbi 15 vite, por edhe falë prezencës jashta vendit (në vendet perëndimore) të një pjese të trungut demografik shqiptar, rrespektivisht diasporës, që e lidhin Ballkanin me botën. Po ta marr shembullin tonë, konstatoj se kemi arritur të plasojmë një numër jo të neglizhueshëm të shkrimeve apo reportazheve me peshë mbi Ballkanin dhe Ballkanasit në medie zvicerane.

Raportet e fundit për lirinë e mediave tregojnë se nga viti në vit mediat në Maqedoni dhe rajon janë gjithmonë e më shumë nën trysninë e pushtetit. Si i shihni këtë parë nga larg, nga një vend që s’ka shqetësime të tilla?

Iseni: Nëse mediat në Zvicër dhe në vendet tjera perëndimore nuk kanë një presion të zhveshur e brutal nga pushteti ose grupet e interesit siç e kanë në Ballkan, kjo nuk do të thotë se ato nuk i nënshtrohen formave më të sofistikuara të presionit. Ka sigurisht edhe këtu lobime në favor të ndonjë grupi formal ose joformal dhe që i drejtohen edhe mediave, të cilat mund të dorëzohen ose jo, varësisht nga fuqia që kanë dhe qëndrimi i botuesve. Por sidoqoftë, gazetarët nuk i nënshtrohen rrezikut nga dhuna ose nga presioni i drejtpërdrejtë. Viteve të fundit ka mjaft raste të reduktimit të numrit të gazetarëve edhe nga redaksi të mëdha e tradicionale kryesisht si pasojë e vështirësive financiare e uljes së të ardhurave nga marketingu. Kjo shprehet sidomos te gazetat, të cilat, me shtimin e madh të medieve elektronike kudo në botë janë në krizë.

Një nga çështjet politike të ditës, do të jetë media dhe sidomos roli i RTVM-së. Cili është mendimi juaj për rolin e medias publike kur krahasohet me ato në Evropë?

Iseni: Media publike në perëndim është në shërbim të publikut, ashtu siç e thotë edhe definicioni. Sigurisht, nuk ka ndërhyrje të pushteteve në këto medie, ashtu si i njohim nga vendet e Ballkanit. Në Zvicër, siç dihet qeverisin partitë më të mëdha parlamentare sipas parimit të konkordancës, pra pothuajse nuk ka opozitë në kuptimin klasik. Por megjithatë edhe këtu ka, herë pas here, ankesa nga parti të caktuara politike sipas të cilave radiotelevizioni publik po vihet më shumë në shërbim të njërës parti dhe se po anashkalon një parti tjetër.

Lajme të ngjashme

Back to top button