Opozita do të kthehet, por demokracia?

Mundësi për normalizimin e gjendjes politike në Maqedoni, por jo edhe garanci për demokratizimin e proceseve. Këto janë pritjet e analistëve, pasi që është e ditur se pas një viti e gjysmë nga vendimi për bojkot nga dita e zgjedhjeve, opozita të martën do të kthehet në Parlament, njofton REL.

Kthimi nuk duhet të nënkuptojë asgjë të madhe, vlerëson politikologu Zdravko Sasevski, duke përkujtuar se opozita edhe kur ka qenë në Parlament dialogu politik ka qenë i përkeqësuar, ndërkaq progresi demokratik ka pësuar regres. Ai shton se për të mos qenë e reduktuar pjesëmarrja e opozitës vetëm në dhënien e legjitimitetit të pushtetit patjetër është dashur t’i ikë parimit për majorizim.

“Shumica parlamentare me sa duket do të merr detyrë nga qendra që të aktrojë demokraci, sepse edhe vet qendra e partisë në këtë periudhë, një muaj-dy, aktron demokraci dhe aktron se ka “veshë” për problemet e qytetarëve, kështu që të paktën në fillim pres që të ketë një hap, por ajo që personalisht më frikëson është se tanimë janë humbur ato praktikat dhe shprehitë demokratike të deputetëve”, thotë Saveski.

Analisti Albert Musliu, vlerëson se nuk mund të pritet ndonjë demokratizim i papritur i elitës politike në Maqedoni, duke theksuar se ky Parlament është me mandat të shkurtër, duke e pasur parasysh se tanimë dihet që në prill do të mbahen zgjedhje. Sipas tij nuk duhet të lihet anash fakti që grupet punuese sipas marrëveshjeve të qershorit dhe korrikut të vazhdojnë t’i realizojnë çështjet.

“ Me vet faktin që marrëveshja e “Përzhinos” nëpërmjet grupit punues po vihet në implementim dhe dakordohen detajet, Parlamenti do të jetë vetëm një makineri votuese e cila do t’i vërtetoje vendimet e grupeve punuese, ashtu që sipas meje vet debati që po zhvillohet në lidhje me këto tema, për të cilat më parë do të merren vesh grupet punuese, do të jetë vetëm farsë apo tendencë për t’u treguar se përfitimi është në anën e asaj partie politike që argumenton”, thotë Musliu.

Kthimi i LSDM-së në Parlament është i paraparë sipas marrëveshjes së 2 qershorit. Në të precizohet se LSDM-ja do të udhëheq me Komisionin Anketues të Parlamentit të krijuar pas skandalit të përgjimeve dhe Komisionin për Zbulim dhe Intervenim në Komunikimet. Raporti i parë i këtyre komisioneve do të jetë i përgatitur në nëntor të vitit 2015.

Sipas marrëveshjes pas kthimit të LSDM-së në Parlament, të gjithë materialet që i posedojnë ata, do t’i dorëzojnë në Prokurorinë Publike për procedurë të shpejtë. /Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button