Rektori Ameti: Akademik Mark Krasniqi vlerë dhe pasuri e çmuar shpirtërore në tërë hapësirën kombëtare

Rektori i USHT-së, Vullnet Ameti ka dërguar telegramë ngushëllimi për vdekjen e akademikut Mark Krasniqi.

Letra e plotë:

Lajmi për ndarjen nga  jeta të intelektualit, dijetarit, profesorit dhe veprimtarit të shquar të kauzës sonë kombëtare, Akademik Mark Krasniqi na tronditi thellë të gjithëve.

Akademik Mark Krasniqi i takon brezit të intelektualëve, të cilëve u ra barra t’i hedhin hapat e parë në ngjarjet me peshë historike për popullin shqiptar të kohës më të re.

Me nivelin e tij intelektual të jashtëzakonshëm, përmes studimeve të mirëfillta shkencore, Akademik Mark Krasniqi ka dhënë kontribut të veçantë në afirmimin e vlerave kulturore dhe historike, sidomos në vlerësimin e rolit të popullit shqiptar të Kosovës.

Si intelektual i dalluar punoi pa ndalur, me urtësi dhe drejtë i gjykoi proceset nëpër të cilat kaloi kombi ynë në shekullin e kaluar dhe shekullin e ri, ndaj përjetshëm hyri në zemrën e popullit tonë. Ai kishte parime dhe qëndrime të drejta atdhetare e intelektuale, të cilave nuk iu shmang kurrë, por iu përmbajt besnikërisht gjatë tërë jetës. Kultivoi figurën e pastër e të ndërgjegjshme të intelektualit shqiptar, që mund të shërbejë si model për brezat e ardhshëm.

Akademik Mark Krasniqi u shndërrua në vlerë dhe pasuri të çmuar shpirtërore në tërë hapësirën kombëtare. Ai, e kreu me nder detyrën ndaj kombit dhe Atdheut, prandaj i jemi mirënjohës përjetësisht dhe do ta përkujtojmë gjithmonë me admirim e respekt.

Vepra e tij do të jetojë gjatë dhe do të na shërbejë si frymëzim në rrugëtimin tonë të ardhshëm, neve dhe gjeneratave që vinë pas nesh.

I përjetshëm qoftë kujtimi për akademikun, profesorin dhe veprimtarin e madh të arsimit shqip, shkencëtarin dhe dijetarin e shquar, Akademik Mark Krasniqi!

Lajme të ngjashme

Back to top button