Unë, “refugjat” në vendlindjen time

Dorën në zemër, çështja e refugjatëve nëpër botë, së fundmi kalimi i tyre edhe nëpër Maqedoni, në mua- por besojë se edhe te shumica e të rinjve ka hapur çështje për të menduar. Është e vërtetë se ne s’mund të ndalim luftërat kudo nëpër botë, por mund të krijojmë hapësirë që nesër te ne të mos ketë luftë.

Fatmirësisht Azia është shumë larg shqiptarëve, por fatkeqësisht mentaliteti shumë i përafërt.

E keqja dhe fitili i luftës nëpër vendet e Azisë së largët janë elita politike. Ai lloj i politikanëve që vrasin e presin për ta zgjatur mandatin e tyre sa më shumë që munden. Bëjnë milion komplote deri te “pakti me djallin” vetëm për të qëndruar në krye të arkës që mbushet nga populli e që sipas nevojave do të duhej t’u shpërndahej nevojave njerëzore. Njerëz pa fije kulture politike duke mos e shpërndarë si duhet “arkën popullore”, ata varfërojnë popullin. Një popull i varfër të vështirë e ka ekzistencën nëse i reziston qeverisë, qoftë edhe nëse qeveria është e padrejtë. Mentalitet politik që krijon popull rob të pushtetit, dhe jo pushtet në shërbim të popullit.

Çfarë e dallon Maqedoninë nga mentaliteti politik i të qenurit rob i pushtetit?!

Maqedonia, sidomos shqiptarët, për asnjë element nuk dallon nga mentaliteti politik i robërimit të popullit. Populli këtu në mënyrë të jashtëzakonshme ndikon që të krijojë mendësi se ne jemi rob të pushtetit. Këtu ku ia drejton gishtin dikujt dhe thua “Ky është i kësaj partie…”, kështu duke ia mohuar qysh në start të drejtën themelore politike e të qenurit qytetar. Prandaj qysh në marrjen e mandatit qeverisës pushteti dallon në ngjyra partiake popullin, aktivistët dhe simpatizantët e qeverisë- që sillen dhe veprojnë si qytetarë të rendit të parë- dhe “të tjerët”. Në këtë mënyrë duke ua mohuar të drejtat politike të gjithë atyre që nuk sillen ashtu siç porosisin pushtetarët.

“Të tjerëve” nuk u mbetet asgjë tjetër pos të mendojnë se si të ikin në kurbet, për jetë më të mirë apo për një trajtim më afër qytetarisë së mirëfilltë- ku nuk vjen në shprehje ideologjia partiake ose përkatësia fetare- aty ku qytetari vlerësohet parimisht për vlerat njerëzore që posedon.

 

Çfarë robi donë pushteti?

Për pushtetin dëgjueshmëria qytetare është frymëmarrje e lehtë që garanton jetë të gjatë. Andaj, pushtetit mundohet të disiplinojë “robërit”, që të jenë të dëgjueshëm dhe të sillen sipas instruksioneve të tyre.

Shqiptarët e Maqedonisë sot janë rob të pushtetit dhe jo qytetarë. Kemi plotë shembuj, po i përmend disa ngjarje të fundit politike që erdhën nga qyteti im- Kumanova. Dy ditë luftime pandërprerë, në mes forcave policore dhe një grupi të armatosur më 9-10 maj pa asnjë shpjegimi se për çka ndodhi, si ndodhi, kush ishin protagonistët, si hyrën në Maqedoni, kush i ftoi, pse aq mobilizim i ushtrisë, nëse aq forcë ushtarake u harxhua për ta kapur grupin, pse gjithë ajo forcë nuk u harxhua për ta parandaluar një incident të tillë …? Edhe shumë e shumë çështje tjera të paqarta që po përcillen me heshtje dhe forcojnë bindjen time se ne jemi rob. E dini pse, se robi kurrë nuk reagon ndaj sjelljeve të “shefit”-çfarëdo qofshin ato.

E njëjta u dëshmua edhe me vrasjen e Komandant Shqiponjës. Konfrontim ky mes dy grupeve për të ardhur deri tek pozita e kryetarit të degës së partisë. Vrasje qyqare, që do të duhej ta rebelonte qytetin dhe qytetarët për të kërkuar përgjegjësi nga elita politike që ka forcuar një ngjarje të tillë. Por, jo ne prapë heshtëm!

Në vend të qytetarisë ne po zgjedhim robërinë !

Zgjedhja e shumicës për të qenë të dëgjueshëm dhe rob të pushtetit po krijon ambient jo të mirë politik në vend. Ndonjëherë nuk mjafton të ikësh nga vendi që të marrësh epitetin “refugjatë”, refugjatë unë dhe shumë të rinj po ndihemi edhe në Kumanovë. Për mua ky ambient është më i keq se gjendje lufte. Satanizimi i kapacitetit intelektual nga klasat politike për mua është gjendje lufte. Etiketimi dhe poshtërimi i një fryme që mundohet të mbajë gjallë rezistencën kundër së keqes nuk është qytetëruese.

Është koha që ne nuk duhet të heshtim, sepse heshtja dhe dëgjueshmëria krijon tirani. Ne jemi shqiptarë dhe tiran mbi supet tona nuk durojmë, apo jo ?! Ne jemi qytetarë dhe rob të askujt nuk jemi apo jo?! Vota juaj për tiraninë është votë edhe për të nesërmen e fëmijës tuaj. Tirani vjen me zgjedhje demokratike, por është vështirë për ta hequr nga pushteti me mënyra demokratike. Kujdes kë votoni. Ti nuk donë ti mbjellësh atmosferë lufte ardhmërisë së fëmijës tënd!

Kontribuo për rritjen e nivelit të kulturës politike, ku individi është bartës i proceseve, pushteti shërbëtor i popullit dhe populli ideator i së ardhmes. Kështu askush nuk do të ndjehet refugjat, por qytetar në vendlindjen e tij. Pushtetmbajtësit do të donin të na shihnin refugjatë, kufijve të botës, por ne atë “nder” nuk do t’ua bëjmë.

Ne nuk do të bëhemi të dëgjueshëm vetëm për t’i shpëtuar ‘fatkeqësive’ personale. Duhet tek ne ta zgjojmë qenien politike. Të mos e mbrohemi nga ‘fatkeqësitë personale’ që mund të na e kurdis pushtetit dhe të kontribuojmë për ‘fatkeqësi shoqërorë’ nesër.

Lajme të ngjashme

Back to top button