Shkup, u takuan shefat e diplomacisë maqedonase, shqiptare dhe bullgare

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë gjatë ditës së sotme u mbajt një takim pune me shefat e përfaqësive konsullore-diplomatike të Republikës së Maqedonisë. Me ftesë të pritësit, shefit të diplomacisë së Maqedonisë Nikola Poposki, si mysafir nderi pjesëmarrës ishin kolegët e tij nga Republika e Shqipërisë dhe Bullgarisë, Ditmir Bushati dhe Daniel Mitov, raporton Anadolu Agency (AA).

Në takim shefat e diplomacive të tre vendeve kanë diskutuar për çështjet aktuale të politikave të jashtme në suaza të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, procesin e integrimit evropian dhe euro-atlantik të Ballkanit, si dhe perspektivat e bashkëpunimit rajonal. Ata bashkërisht konsiderojnë se anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe NATO nuk do të kontribuojë vetëm në të mirë të Maqedonisë, por do të kontribuojë edhe në të mirë të Bullgarisë dhe Shqipërisë.

Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, në fjalën e tij theksoi se me kolegët e tij nga Maqedonia dhe Bullgaria ndanë të njëjtin mendim në lidhje me nevojën e integrimit sa më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në rrjedhat euro-atlantike, si një vizion dhe aspiratë të përbashkët e popujve të tre vendeve për një bashkekzistencë paqësore.

“Patëm mundësi të theksoj gjatë bashkëbisedimit me trupin e ambasadorëve të Maqedonisë se Shqipëria është e interesuar për stabilitetin demokratik të fqinjëve të saj dhe në këtë këndvështrim perspektiva e qartë euro-atlantike e Maqedonisë merr një rëndësi të posaçme. Shqipëria si anëtare e NATO-s dhe kandidat për Bashkimin Evropian nuk mbështet as qëndrimet, por as zhvillimet që cenojnë të ardhmen euro-atlantike”, tha Bushati.

Për sa i përket rolit të partive politike shqiptare në marrëveshjen e 2 qershorit dhe 15 korrikut mes partive më të mëdha politike në Maqedoni, Bushati konsideron se Shqipëria nuk ka asnjë preferencë për asnjërën nga partitë shqiptare, si dhe asnjë mbështetje specifike, ndërsa në vijim të fjalës së tij shtoi se ata përfaqësojnë vullnetin e popullsisë shqiptare në Maqedoni dhe se Shqipërisë i mbetet vetëm të respektojnë këtë vullnet.

“Më lejoni të them se si një vend fqinj i Maqedonisë ne mbështesim procesin e dialogut politik, konsensusin dhe natyrisht jemi në të njëjtën linjë edhe me partnerët ndërkombëtar të cilët kanë ndihmuar për faktorët dhe aktorët politik në Maqedoni për të tejkaluar situatën e vështirë të cilët po përballej vendi në kuptimin politik të fjalës”, deklaroi Bushat.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Poposki, tha se stereotipet dhe druajtjet se Bullgaria dhe Shqipëria mund ta pengojnë Maqedoninë në proceset integruese edhe më tej ekzistojnë, por shtoi se prania e tyre në takimin e sotëm tregon se është duke u bërë gjithçka që të ndryshojë ky perceptim.

“Nga ana jonë vet fakti i ftesës së dy ministrave të Punëve të Jashtme të Bullgarisë dhe të Shqipërisë, që të jenë pjesë e takimit tonë vjetor me shefat e përfaqësive konsullore-diplomatike, tregon se qëllime me prapavijë ndaj tyre nuk kemi. Mendoj se fakti që pranuan të marrin pjesë në një diskutim të hapur me shefat tonë të përfaqësive konsullore-diplomatike ku i trajtojmë temat më delikate, është një sinjal i mirë se edhe në ato dy vende ekziston gatishmëri për të na bindur se nuk kanë për qëllim të pengojnë, por ta ndihmojnë procesin euro-atlantik të vendit”, deklaroi Poposki.

Në lidhje me situatën me refugjatët, Poposki tha se kjo çështje nuk mund të zgjidhet vetëm nga një shtet, por kjo çështje duhet të zgjidhet me përfshirjen e më shumë shteteve, veçanërisht të Bashkimit Evropian. “Kjo çështje ka nevojë për një marrëveshje evropiane, veçanërisht një përgjegjësi evropiane për këtë problem. Në këtë fushë ka nevojë edhe për bashkëpunim mes vendeve të Evropës qendrore dhe veriore, ku një pjesë e madhe e refugjatëve dëshirojnë të përfundojnë udhëtimin e tyre”, theksoi Poposki.

Ndërsa , ministri i Punëve të Jashtme i Bullgarisë, njoftoi se së shpejti pritet të jetë gati një version përfundimtar i marrëveshjes për marrëdhënie të mira fqinjësore mes Bullgarisë dhe Maqedonisë, si dhe theksoi se vendi i tij mbështet fuqishëm integrimin euro-atlantik të Republikës së Maqedonisë. Ai poashtu u shpreh se pret që Evropa të tregojë parimet e solidaritet dhe të përgjegjësisë për të ndihmuar në tejkalimin e krizës së refugjatëve.

Siç tha ai, Bullgaria tashmë ka marrë një numër të konsiderueshëm të refugjatëve, duke theksuar këtu rritjen e kontrollit në kufirin me Turqinë, si dhe vendkalimet tjera kufitare, me qëllim për të kontrolluar territorin e saj.

Lajme të ngjashme

Back to top button