Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati në vizitë në Komunën e Tetovës

Sot, në hapësirat e Komunës së Tetovës, kryetarja, Teuta Arifi, priti në takim ministrin e punëve të jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati. Fillimisht kryetarja Arifi e falenderoi përzemërsisht ministrin Bushati në emrin e saj personal dhe në emër të të gjithë banorëve të Tetovës, për mbështetjen konkrete nga shteti shqiptar dhe institucionet e tij, e cila mbështetje ka ndikuar në zbutjen e efekteve negative të shkaktuara nga përmbytjet e 3 gushtit.

Përmes kësaj mbështetjeje, sipas Arifit është dëshmuar edhe një herë, “vlera e fqinjësisë së mirë, por edhe vlera e solidaritetit kombëtar” si dhe është përforcuar ndjesia e të qëndruarit të dy vendeve pranë njëri tjetrit në momente të vështira.

Arifi  e njoftoi ministrin Bushati për gjithë ecurinë e aktiviteteve të ndërmarra nga Komuna e Tetovës dhe nga institucionet e pushtetit qëndror, për përballjen me pasojat e shkaktuara nga rreshjet dhe përmbytjet në Tetovë dhe rajonin e Tetovës.

Arifi e njoftoi ministrin Bushati se tani më është përmbyllur faza e parë, respektivisht pastrimi i të gjitha zonave të prekura nga përmbytjet, dhe se është nisur me fazën e dytë apo me sanimin dhe riparimin e dëmeve të shkaktuara.

Ministri Bushati, shprehu sërish ngushëllimet më të sinqerta për familjet që humbën të afërmit e tyre në këtë katastrofë natyrore, duke shpresuar  që e mira që i vjen pas kësaj fatkeqësie të përkthehet në konstruktimin e projekteve dhe programeve të qëndrueshme dhe afatgjata infrastrukturore nga të cilat do të përfitojnë banorët e Tetovës dhe rrethinës së saj.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button