Tragjedia e refugjatëve çjerrë maskat e shteteve të dështuara

Skenat e lemerishme të refugjatëve sirianë, irakienë e të tjerë, që po përpiqen të gjejnë shpëtim në Evropë, moti kanë marrë përmasat e tragjedisë. Bllokimi i tyre ditëve të fundit nga autoritetet maqedonase, në kufirin ndërmjet Maqedonisë e Greqisë, sado johuman që është, vetëm po e bën më të dukshme këtë tragjedi të refugjatëve. Ata vuajnë edhe gjatë shtegtimeve nëpër Turqi e Greqi, si edhe nëpër Serbi e Hungari. Vuajtja e tyre po bëhet më vizibile me këtë brutalitet të shtetit maqedonas, por ajo është dhe mbetet vuajtje dhe tragjedi e thellë njerëzore edhe pa të. Ndërsa, atë që kanë përjetuar këta refugjatë në vendet e tyre të shkatërruara nga barbaria, as ata vetë nuk do të dinë të përshkruajnë kurrë. Prandaj, epiqendra e tragjedisë së tyre mbetet atje.

Pra, epiqendra e krizës mbetet në ato shtete të dështuara arabe, të cilat i vrasin pa asnjë ngurrim shtetasit e vet për motive sektare, etnike, politike, ideologjike, fetare e gjithfare dhe ku edhe ata që luftojnë si opozitarë kundër qeverive, vrasin e presin me metoda nga më barbaret që ekzistojnë. Refugjatët sirianë vemas janë rast specifik, sepse ata kanë ikur nga vendi, ku kanë qenë ndërmjet zjarrit të dy barbarive, barbarisë së qeverisë dhe barbarive të opozitës të saj.

Në një realitet të tillë të tmerrshëm, kriza e refugjatëve mund të zbutet në tokën evropiane, por nuk mund të zgjidhet. Pa u zgjidhur kriza në vetë ato shtete të dështuara, nuk ka si të ndalet kjo valë e refugjatëve dhe kjo tragjedi e tyre në shtegtimet e mundimshme dhe me plot pengesa. Por, zgjidhja e krizës në ato shtete, veçmas në Siri, nuk duket në horizont. Prandaj, shtetet evropiane duhet të përgatiten për të përballuar valë të reja të refugjatëve nga ato zona.

Kur t’i shtohet kësaj tablloje edhe ajo nga tragjedia që vjen nëpër Detin Mesdhe, ku brenda vitit mbyten me mijëra refugjatë që nisen nga brigjet libiane, atëherë shohim se jemi para një zingjiri tragjedish të shteteve e të shoqërive të dështuara arabe, të cilat kanë potenciale të tmerrshme për t’i ushqyer konfliktet shumëplanëshe, (sektare, fisnore, fetare, etnike, ideologjike, politike, pushtetore, etj) por nuk kanë projekte efikase për të zgjidhur krizat.

Nga ana tjetër, ka rrezik që preokupimi me refugjatët, të shmangë nga vëmendja barbaritë e paimagjinueshme që po ndodhin në ato vende, veçmas në Siri, ku edhe qeveria është terroriste e edhe organizatat që luftojnë kundër, saj janë poashtu terroriste.

Mbetet e pakuptueshme pse shtetet tjera arabe në rajonin e dy krizave më të mëdha, Sirisë e Irakut, nuk kanë më shumë kapacitete e vullnete, për të akomoduar refugjatët sirianë e irakienë. Akomodimi i tyre në rajon do të kishte kosto më të ulët, psikogjikisht do ta kishin më lehtë në ambientin e vet kulturor dhe vuajtjet e refugjatëve nga shtegtimet e gjata do të ishin më të pakta. Por, duket sheshit se edhe shtetet e papërfshira në luftërat e hapura e të ndyra, potencialisht janë të dështuara dhe nuk kanë ndërtuar struktura të qëndrueshme për asgjë normale, pra as për kriza humanitare. Prandaj u ka ardhur puna që të trajtohen brutalisht bashkëkombasit e tyre edhe nga një shtet si Maqedonia. I gjithë degradimi dhe dështimi i atyre shteteve, që së paku kanë mundur të strehonin në rajon refugjatët, është për vajtim.

Lajme të ngjashme

Back to top button