Të përdoret drejt rasa thirrmore!

Në gramatikat e tanishme të gjuhës shqipe kudo listohen pesë rasat: emërorja, gjinorja, kallëzorja, dhanorja e rrjedhorja. Rasa thirrmore nuk konsiderohet disi e denjë për t’u përmendur në këtë listë. Mbase kjo është arsyeja pse po përdoret gabimisht në të shkruar. Fjala është për trajtën e shkruar, gjithsesi.

Çështja e parë që do përmendur në lidhje me këtë problematikë është se rasa thirrmore gjithherë shfaqet si togfjalësh i ndërkallur. Kur themi “i ndërkallur”, nënkuptohet se shkon midis dy presjesh. Ky rast vlen togfjalëshi është në mes të fjalisë. Ndërkaq, kur është në fillim, dihet, presja e pasme e ndan elementet tjera të fjalisë që e ndjekin. Shembull: “Dituria, (o) mik, duhet të shpërndahet te të tjerët.” Apo në rastin kur togfjalëshi vjen në fillim të fjalisë: “(O) Mik, dituria duhet të shpërndahet te tjerët.”

Çështja e dytë është pikërisht kllapat rreth shkronjës “o” – “shenjës” dalluese të thirrmores. Pra, “o-ja” është zgjedhore. Përdorimi i saj i lihet vetë autorit të vendosë.

Çështja tjetër me rëndësi në lidhje me rasën thirrmore është zëvendësimi i presjes me pikëçuditëse. Asgjëmangut, në këtë rast nuk mund togfjalëshi të jetë i ndërkallur. Domethënë, po e zëvendësuam presjen me pikëçuditëse në rasën thirrmore, atëherë fraza në thirrmore duhet të jetë në fillim të fjalisë, pa përjashtim.

Cili është gabimi për të cilën po diskutohet? Gabimi është mu në mospërdorimin e presjes a pikëcuditëses! Po vërehen fjali të shkruara, fjala është për fjalitë ku është përdorur rasa thirrmore, që nuk e përdorin drejt këtë rasë. Dhe, si fakt, më shumë gabohet kur përdorohet varianti me presje sesa me pikëçuditëse.

Sido që të jetë, rasa thirrmore është rasë e natyrshme e e logjikshme e shqipes, ashtu si edhe e shumë gjuhëve të tjera botërore. Përpos parashtesës së ndarë zgjedhore “o”, te rasa thirrmore nuk ka ndonjë ndryshim në formën e fjalës. Pra, për ta kuptuar dhe, rrjedhimisht, për ta përdorur drejt rasën thirrmore, duhet pasur parasysh presjen dhe pikëçuditësen. Kur është në fillim, ajo frazë ndahet me cilëndo prej shenjave të përmendura, ndërkaq, kur është në mes (vetëm në rastin me presje), fraza duhet të vijojë pas presjes dhe të ndiqet me presje.

Lajme të ngjashme

Back to top button