Fshehja e palëve ose informacionit është manipulim

[Recension: Azizi: Kumanovarët e “Lagjes së trimave” janë zhdëmtuar 100 %]

Gazetari duhet të jetë i paanshëm dhe i balancuar gjatë raportimit të ngjarjeve. Të mos anojë ndaj ndonjë subjekti politik si dhe duhet të sigurojë distancë profesionale. Në të kundërt ai do të humbasë nga kredibiliteti dhe do të perceptohet si i njëanshëm, që është “mallkimi” më i padëshiruar për një gazetar profesionist.

zhurnalLinku deri te artikulli origjinal: Azizi: Kumanovarët e “Lagjes së trimave” janë zhdëmtuar 100 %

Data dhe koha e publikimit: 17.08.2015

Data e recensionit: 19.08.2015

Recensent: Xhenis Sulimani

Teksti që po e recensojmë transmeton deklaratën e deputetes Kaltrina Azizi dhënë për portalin telegrafi.com, por informacioni nuk është i plotë, sepse në të mungojnë të gjitha palët. Versioni origjinal i informacionit që qëndron në portalin telegrafi.com përveç prononcimit të deputetes Azizi ka edhe prononcimin e ish deputetit Zymberi si dhe qëndrimin e qytetarëve për pagesën e dëmeve nga ana e Qeverisë së Maqedonisë, të shtëpive në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë.

Spikatja e qëndrimit të deputetes Azizi, në tekst, e ka bërë tekstin jo të balancuar.

“Nëse duam ta shohim dhe pohojmë të vërtetën mund të themi gjithashtu që kontributi i qeverisë, me organet apo komisionet që formoi pas janë treguesi më i mirë se angazhimi i ynë si subjekt në qeveri ka qenë maksimal në kthimin e dinjitetit, rehabilitimin dhe kompenzimin e gjithë atij dëmi material që ka qenë i shkaktuar.”

Nga ana tjetër në këtë tekst nuk është transmetuar, me ose pa dashje, deklarata e ish deputetit Abedin Zymberi, dhënë për të njëjtin tekst ku është prononcuar edhe deputetja Azizi.

“Abedin Zymberi, njëherit ish deputet i PDSH-se dhe DR-së, thotë se qeveria luan me ndjenjat e banorëve të ‘lagjes së trimave’ dhe vlerësimi i dëmeve nuk ka qenë real. ‘Rasti i Kumanovës la pas veti gërmadha të shtëpive, trauma dhe vrasje, deri më sot asgjë më shumë.”

Teksti mund të merrte vetëm prononcimin e një personi, dhe pasi ta kishte cituar burimin, të vazhdonte hetimin më tej dhe të sillte një pamje më të plotë rreth ngjarjes. Si i tillë ai e lë lexuesin të mangët pasi lajm mbetet i pa balancuar.

Etika e gazetarisë na mëson se gazetari nuk guxon të fsheh informacione. Është publiku ai që i percepton dhe vlerëson. Detyra e gazetarit është që ti përcjellë ato me korrektësi. Heshtja dhe mospublikimi i të dhënave që mund të ndikojnë në qëndrimin e opinionit është e njëjtë sikur shtrembërimi i qëllimshëm ose manipulimi i vetëdijshëm me opinionin.

Lajme të ngjashme

Back to top button