Mamiç: Ndaj Skënderbeut, do luajmë sikurse të jetë Real Madridi (Video)
Dinamo e Zagrebit mbërriti në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, duke e menduar mirë duelin që do të ketë me Skënderbeun.
Kampionia e Kroacisë ka më shumë emër dhe më shumë para sesa korçarët, por presidenti i saj, Zdravko Mamiç, nuk e mendon aspak të lehtë.
“E respektojmë Skënderbeun që është një rival shumë serioz. Është kampione e Shqipërisë dhe jo më kot ka fituar pesë tituj radhazi. E dimë se ka në përbërje lojtarë shumë të mirë, aq më tepër ka eleminuar dy kundërshtarë për të ardhur deri këtu. Kemi parë edhe rezultatet e kombëtares shqiptare, që tregojnë se ku ka arritur futbolli juaj, gjë që e tregon edhe numri i madh i lojtarëve shqiptarë që luajnë në Europë. Do të hymë në fushë sikur jemi duke luajtur kundër Real Madridit”.
Mamiç gjykon se ndoshta përvoja mund të vendosë.
“Është e vështirë që te themi se kush është favorit, por ndoshta mund të na ndihmojë përvoja më e madhe që kemi në kupat europiane. Gjithsesi, duhet të japim në fushë edhe atomin e fundit të energjisë për t’u kualifikuar. Championsi nuk është detyrim për ne, por dëshirë. Gjithsesi, përderisa kemi ardhur deri këtu, pse të mos ia dalim”.
Në stadium do të jetë edhe Ardian Kozniku, shqiptari nga Kosova që luajti për Dinamon e Zagrebit dhe kombëtaren e Kroacisë.
Dinamo e Zagrebit nuk do ta ketë tetovarin, i cili është kapiten i skuadrës, Arijan Ademi, i cili nuk udhëtoi fare drejt Shqipërisë, për shkak të dëmtimit. Skuadra kroate u vendos në hotelin “Sheraton”, ku do të qendrojë deri pak orë përpara ndeshjes ndaj Skënderbeut.