Akademiku Stavileci kishte thënë se shqiptarët në Maqedoni duhet ta kenë sovranitetin e vet

Duke e kujtuar me pietet, profesorin e akademikun e njohur kosovar, tashmë të ndjerë, dr. Esat Stavileci, kthehemi shumë vite pas, kur kishte vizituar Tetovën. Para një numri të madh intelektualësh shqiptarë, në një tryezë të rrumbullakët, të mbajtur në Tetovë, para 24 vjetësh, ka paraqitur vizionin e tij për shqiptarët në Maqedoni. Duhet të jepet përgjigje në këto segmente, ka thënë ai: Me kushtetutë duhet të rregullohet çështja e sovranitetit të shqiptarëve në Maqedoni, që konsiston me vetëpërcaktimin. Po qe se nuk jetësohet kjo, programi kombëtar duhet t’i përpunojë edhe zgjidhjet adekuate të veprimit në kushte që imponohen pa dëshirën tonë.
 
Më 30 prill 1991, në sallën e madhe, të stërmbushur, të Kuvendit të komunës së Tetovës, ku u mbajt një tryezë e rrumbullakët, me temën: “Kauza shqiptare dhe shteti demokratik i Maqedonisë”, në të cilën merrnin pjesën shumë intelektualë shqiptarë nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve diskutimi i prof. dr. Esat Stavileci, me vizionin e tij për zgjidhjen e çështjes kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni, por edhe asaj në Kosovën e okupuar nga satrapi Millosheviq, vizion ky që mbetet aktual për nga pikëpamjet e tij edhe në një distancë kohore, historike, prej 24 vjetësh. Ai vuante për fatin e kombit të vet, jo vetëm në suaza lokale apo krahinore, por në përgjithësi, për të ardhmen e tij në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Sidomos vërehej hapur shqetësimi i tij për pozitën e shqiptarëve në Maqedoni. Kosova dhe Maqedonia në atë kohë ende ishin nën tutelën jugosllave. Në vazhdim, në shenjë pëkujtimi për këtë intelektual të madh, po sjelli disa theksime nga diskutimi i tij, i shënuar në korrespondencën time të kohës, botuar në gazetat e Kosovës.
Kauzës shqiptare nuk mund t’i ndihmohet me letra të hapura e protesta, por asaj duhet qasur në mënyrë shkencore, ka thënë prof. dr. Esat Stavileci. Rrethanat limituese për zgjidhjen e çështjes shqiptare, sipas tij, mund të jenë: kombi i ndarë, standardet ndërkombëtare për pakicat, kërcënimet e Kryesisë së RSFJ-së, të Kuvendit Federativ, KEF-it, heshtja e Gjykatës federative, pastaj edhe mungesa e një programi kombëtar për të gjitha viset e banuara me shqiptarë (me plane operative), euforia e krijuar në popull pa ndonjë mbulesë të fuqishme, proceset e ngadalshme demokratike në Shqipëri etj.
Në anën tjetër, rrethanat lehtësuese për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve mund të konsiderohen këto: hapja e proceseve integruese në Evropë, unitetit i popullit shqiptar, angazhimi edhe i intelektualëve për kauzën shqiptare, përkrahja e proceseve demokratike nga ana e Evropës, proceset e demokratizimit të Shqipërisë – sa më shumë që do të trokasë në dyert e Evropës aq më e fuqishme do të jetë kauza jonë.
Pasi vuri në dukje se në mungesë të një programi kombëtar, nuk kemi opsione të qarta se si do të vepronim nesër në rast nevoje, dr. Stavileci paraqiti disa propozime e sugjerime: zgjidhjen e çështjes shqiptare në kuadër të Evropës duhet kërkuar si për një akt në funksion të paqes dhe të pranimit të sovranitetit, e jo duke u ankuar gjithnjë për shkeljen e të drejtave të njeriut. Inteligjencia shqiptare duhet të dalë me deklaratë për atë se shqiptarët kanë të drejtë për vetëvendosje. Programi kombëtar të hartohet si program gjithëkombëtar. Duhet të përcillen proceset në Shqipëri.
Për shqiptarët në Maqedoni duhet të jepet përgjigje në këto segmente, ka thënë prof. dr. Esat Stavileci, para shumë intelektualëve shqiptarë në Tetovë: me kushtetutë duhet të rregullohet çështja e sovranitetit të shqiptarëve, që konsiston me vetëpërcaktimin. Po qe se nuk jetësohet kjo, programi kombëtar duhet t’i përpunojë edhe zgjidhjet adekuate të veprimit në kushte që imponohen pa dëshirën tonë. 
 

Lajme të ngjashme

Back to top button