Bindjet e gazetarit nuk kanë rëndësi në një lajm

[Recension: Fytyrat e rrezitura të reformistëve kundrejt çizmeve të Teutës]

Gjatë përpilimit të lajmit, gazetari duhet të shmangë skajshmërisht komentet dhe bindjet e tij politike. Teksti që po i bëhet recension, ka shumë elemente të komentit dhe opinionit, ndërsa pak elemente lajmi.

Fytyrat e rrezitura të reformistëve kundrejt çizmeve të Teutës   AKTUALE.MKLinku deri te artikulli origjinal:  Fytyrat e rrezitura të reformistëve kundrejt çizmeve të Teutës

Data dhe koha e publikimit: 10.08.2015

Data e recensionit: 11.08.2015

Recensues: Benjamin Arifi

Analizuar për nga aspekti përmbajtësor, teksti duket politikisht tendencioz dhe i njëanshëm. Nuk ka mundësi që të kenë përgjegjësi të njëjtë politike një funksionar i lartë, në këtë rast kryetar komune, dhe një pjesëtar i një partie të re opozitare jo-parlamentare. Veprimi institucional është detyrë e funksionarëve, ndërsa mendimi kritik duhet drejtuar kryesisht ndaj atyre që kanë në dorë mekanizmat dhe institucionet shtetërore.

Edhe pse teksti sjell reagimin e sekretarit të LR-PDSH-së Arben Taravari, vërehet një tentim për delegjitimimin e Taravarit për adresimin e kritikave ndaj kreut të Komunës së Tetovës, Teuta Arifit. Arsyeja që sipas gazetarit i merr Taravarit të drejtën e kritikës është pushimi i tij i verës! Kjo potencohet në dy paragrafe të tekstit:

Sekretari i Lëvizjes për Reforma të PDSH-së Arben Taravari, pasi u kthye nga turneu i shëtitjeve nëpër metropolet e Evropës dhe rrezitjeve nëpër plazhe me ten të nxirë iu ul Fejsbukut për të kritikuar Teuta Arifin për menaxhimin me pasojat e vërshimeve.

Por, teni i rrezitur i Taravarit dhe çizmet e gomës të Teuta Arifit janë kontrasti më i mirë që reflekton dallimin mes atyre që politikën e shohin si shitje mend nëpër Fejsbuk dhe pres konferenca dhe atyre që politikën e kanë kuptuar si detyrë nga qytetari për të zgjidhur problemet e tyre.

Gazetari përmend fakte të parëndësishme, si pushimi veror i anëtarit të LR-PDSH-së në një tekst që ka të bëjë me diçka krejt tjetër. Pushimi është çështje irelevante në veprimin politik të politikanëve. Në këtë rast, fakti që Taravari, me profesion mjek, ka shfrytëzuar të drejtën e tij të pushimit, nuk i merr atij të drejtën që në cilësinë e politikanit ose qytetarit të kërkojë përgjegjësi nga funskionarët që kanë në dorë pushtetin.

Gjatë shkrimit të lajmit, gazetari duhet të udhëhiqet vetëm nga parimet profesionale dhe normat etike gazetareske, dhe jo nga tendencat dhe preferencat politike.

Lajme të ngjashme

Back to top button