LR-PDSH: Fatkeqësia natyrore nxori në sipërfaqe pa-përgjegjësinë institucionale

Në këtë javë të parë pas përmbytjeve në Tetovë, fatkeqësisht shqiptarët edhe njëherë u ballafaquan me pa-përgjegjësinë institucionale, reagojnë nga LR-PDSH.

“Në njërën anë qeveria me angazhimin e shumë pak punonjësve dhe mjeteve teknike, është skajshmërisht e papërgjegjshme. Në anën tjetër partitë politike shqiptare, si institucione të ngritura mbi votën e po këtyre qytetarëve që sot vuajnë, shprehen sot se nuk ndjejnë përgjegjësi për këtë situatë.

Kur do të vijnë zgjedhjet, do jenë po këta parti që do të kërkojnë nga këta qytetarë votën, ndërkaq as edhe një deputet nuk e pa të udhës të ndihmojë sot kur këta banorë kanë më shumë nevojë.

Lëvizja për Reforma-PDSH shpreh revoltën dhe indinjatën e thellë kundër kësaj qeverie, që edhe në momentet më të vështira shqiptarët nuk i llogarit si qytetar të barabartë të këtij vendi. Protestojmë ndaj sjelljes jo të denjë të partive parlamentare shqiptare që po tolerojnë që Tetovën ta kaplojë epidemia pasojë e përmbytjeve, dhe po lejojnë që dhjetëra shtëpi shqiptare të mbeten të pabanuara, ashtu siç kanë toleruar që me dhjetëra vite tetovarët të helmohen nga ajri i korrupsionit të tyre.

Shqiptarët u treguan solidar edhe në këtë situatë, dhe të bashkuar më të fuqishëm se ky shtet. LR-PDSH edhe në ditët në vijim do të kërkojë llogari për këtë pa-përgjegjësi dhe do të ndërmerr edhe hapa më radikale”, thuhet në reagimin e LR-PDSH.

Lajme të ngjashme

Back to top button