Cipras ngre duart: Greqia nuk mund ta përballojë më vërshimin e emigrantëve

Aleksis Cipras u shfaq i shkurajuar pas një takimi me ministrat e qeverisë së tij që merren me çështjen e dyndjes së emigrantëve në Greqi.

“Infrastruktura e Greqisë nuk mund t’i përballojë mijëra njerëz që zbresin në brigjet e saj nga vende si Siria dhe Afganistani, dhe ka nevojë për ndihmën e Bashkimit Europian,” u shpreh ai i pezmatuar.

“Ky problem na tejkalon ne. Greqia është një vend në krizë ekonomike, dhe ajo ballafaqohet me një krizë të madhe humanitare brenda një krize. Këto dimensione i kapërcejnë mundësitë e vendit tonë. Ato janë dimensione europiane,” shtoi kryeministri karizmatik, transmeton Tesheshi.

“Tani është koha të shohim nëse BE-ja është ajo e solidaritetit, apo një BE ku çdokush përpiqet të mbrojë kufijtë e tij,” vijoi Cipras.

Ndërkohë, drejtori i UNHCR-së për Europën, Vincent Cochetel, pasi vizitoi një sërë ishujsh grekë, e përshkroi situatën atje si të turpshme.

“Shkalla e vuajtjes që kemi parë në ishujt është e padurueshme. Njerëzit arrijnë duke menduar se janë në Bashkimin Europian. Ajo që kemi vështruar nuk ishte diçka e pranueshme për sa ka të bëjë me standardet e trajtimit. Unë kurrë nuk kam parë një situatë si kjo. Ky është Bashkimi Europian, dhe kjo është tërësisht e turpshme.”

Emigrantët që zbresin në ishujt grekë të Egjeut nuk gjejnë atje thuajse asgjë, duke u detyruar në më të shumtën e rasteve të qëndrojnë në qiell të hapur, e të mos kenë as kushtet më elementare të higjienës. Autoritetet lokale janë të dorëzuara para numrit të madh të refugjatëve, ku mes tyre ka shumë gra e fëmijë.

Italia dhe Greqia janë dy vendet kryesore të BE-së që po përballen prej kohësh me një numër të jashtëzakonshëm refugjatësh nga vendet aziatike dhe afrikane.

Bashkimi Europian ka marrë disa iniciativa për ta ndarë mes vendeve anëtare barrën e emigrantëve, por nuk ka gjetur gatishmëri nga të tëra qeveritë. Edhe numri i refugjatëve për të cilët është rënë dakort për t’u zhvendosur brenda dy viteve, diku te 16.000, është shumë i papërfillshëm, ndërsa vetëm në Greqi kanë mbërritur 124.000 emigrantë që nga fillimi i vitit.

Lajme të ngjashme

Back to top button