Lëvizja BESA: Monitorim ndërkombëtar për procesin “Qelia”

Pas arrestimeve të të dyshuarve për pjesëmarrje në konfliktet luftarake jashtë vendit në procesin e a.q. “Qelia”, Lëvizja BESA – megjithëse është për dënimin e secilit veprim antiligjor – kërkon nga autoritetet që ky rast të mos keqpërdoret për përfitime ditore politike. Meqë disa herë autoritetet e Maqedonisë janë dëshmuar se kanë ditur ta keqpërdorin sistemin e drejtësisë dhe sigurisë, duke sajuar dhe montuar procese, veçmas kur bëhet fjalë për shqiptarët, kërkojmë edhe nga organizatat ndërkombëtare që ta monitorojnë këtë proces që të pamundësohet secila formë e abuzimit me ligjin dhe rastin në fjalë.

Me këtë rast Lëvizja BESA edhe një herë e përsërit qëndrimin se shqiptarët e Maqedonisë nuk duhet të bëhen viktima të thirrjeve për çfarëdo aksioni luftarak dhe duhet të jenë të kujdesshëm nga manipulimet e tilla. Ne shqiptarët e Maqedonisë kemi dhjetëra e qindra probleme në oborrin tonë dhe nuk ka as edhe një arsye të vetme që do të na detyronte t’i braktisim vatrat tona për asnjë çmim.

Këtu nuk mund të mos e theksojmë edhe atë se politika e deritanishme, sidomos ajo e kampit shqiptar, aq shumë ua ka ngushtuar veprimtarinë jetësore shqiptarëve të rinj, sa në një mënyrë i ka bërë viktima të detyrueshme ose të shpërnguljes ose të pjesëmarrjes në luftime të tilla. Prandaj, BESA insiston që të rinjve shqiptarë në Maqedoni t’u krijohen kushte sa më të favorshme jete, mundësi pune, por edhe jetë më të begatshme sportive, kulturore e artistike, që ata të mos bien pre e këtyre manipulimeve.

Lajme të ngjashme

Back to top button