Gostivari ndanë 600 mijë denarë për Tetovën

Me iniciativë të kryetarit të Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta kryetari i Këshillit Nasir Musliu thirri seancën e jashtëzakonshme me të vetmen pikë të rendit të ditës: Propozim – Vendim për ndarjen e mjeteve financiare me lartësi prej 600 mijë denarësh komunës së Tetovës e goditur nga fatkeqësia natyrore.

Këshilltarët komunal, unanimisht mbështetën vendimin, duke bërë të mundur që iniciativa e kryetarit të Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta të mund të zbatohet në ditët në vazhdim.

“Është një goditje nga elementet natyrore, siç thuhet në disa besime kundër natyrës dhe Zotit nuk mund të shkojmë. Si kryetar komune, nga çastet e para të tragjedisë isha në terren dhe u ballafaqova me pamje shumë të tmerrshme. Ajo që është e dhimbshme është që jetët që i humbën qytetarët e Tetovës ata nuk mund ti kthejmë, kurse sendet tjera do ti mobilizojmë forcat tona dhe gjërat materiale do ti kompensojmë dhe Tetovën do ta kthejmë ashtu siç ka qenë më përpara. Kam kontakte të vazhdueshme me kryetaren e komunës së Tetovës, dhe për çdo urgjencë jemi gati të ndihmojmë. Për një periudhë të shkurtër ndodhi një fatkeqësi e madhe në komunën tonë fqinje, komunën Tetovës ku fatkeqësisht kishim edhe viktima. Ne jemi angazhuar në nivel republikan, si komunë fqinje bëmë ndihmesat e para dhe çfarë do kenë nevojë qytetarët e Tetovës do ta marrin mbështetjen nga komuna dhe qytetarët e Gostivarit, jo vetëm si institucion por gjithë qytetarët e Gostivarit janë të gatshëm tu ndihmojnë qytetarëve të Tetovës që ta kalojnë goditjen nga elementet natyrore. Ne nuk mund ti dalim përpara natyrës e as Zotit, por ne mund ta ndihmojmë njeri tjetrin. Dëshiroj të shpreh falënderime edhe ndaj qeverisë e cila mbajti mbledhje të jashtëzakonshme dhe solli vendim për ti ndihmuar të gjithë banorët e Tetovës të cilët kanë qenë të goditur”, tha mes tjerash kryetari Nevzat Bejta.

Krahas vendimit për ndarjen e mjeteve financiare me lartësi prej 600 mijë denarësh, një gjest tjetër human i këshilltarëve komunal ishte propozimi që u mbështet unanimisht, me të cilin edhe honorarët e këshilltarëve për muajin Gusht, do të depozitohen në llogarinë e posaçme bankare të hapur nga ana e Komunës së Tetovës, me dedikim sanimin e pasojave dhe mbështetjen e familjeve që pësuan nga fatkeqësia natyrore. Me këtë, vlera totale e mbështetjes financiare arrin në 1.120. 797 denarë.

Seanca e jashtëzakonshme e Këshillit Komunal filloi me një minutë heshtje për viktimat që humbën jetën gjatë fatkeqësisë natyrore në regjionin e Tetovës.

Duhet theksuar se Komuna e Gostivarit, nga çastet e para të fatkeqësisë asistoi Komunën e Tetovës në aspektin teknik duke i vënë në shërbim kapacitetet e Njësitit Territorial kundër zjarreve dhe Ndërmarrjes Publike. Nga nata e parë, si nevojë imediate u dërguan ekskavatorë dhe kamionë për të bërë mënjanimin e gërmadhave nga sipërfaqet rrugore të përfshira nga përmbytjet.

Lajme të ngjashme

Back to top button