Pa saktësi s’mund të ketë informim të drejtë

[Recension: “Prokurori special e çon Gruevskin pas hekurave!”]

Klan.mk - Prokurori special e con Gruevskin pas hekurave!

Përzgjedhja e një titulli të mirë për lajmin është vendimtare që publiku të shfaqë interesim që ta lexojë atë deri në fund. Por, kjo nuk do të thotë që duhet të “luhet” me tituj senzacional që do të zgjonin kurreshtjen e lexuesit por që nuk pasqyrojnë atë që thotë lajmi në brendësi ose, shkurt, dezinformojnë lexuesin.

Klan.mk - Prokurori special e con Gruevskin pas hekurave! 1Linku deri te artikulli origjinal: “Prokurori special e çon Gruevskin pas hekurave!”
Data e publikimit: 26.07.2015
Data e recensionit: 28.07.2015
Recensues: Fatlume Dervishi

Qytetarët e Maqedonisë, për disa muaj kanë përcjellë mediat teksa kanë raportuar dhe vazhdojnë të raportojnë mbi rastin “Puç” ku në mënyrë direkte ose indirekte, zbardhja e të vërtetës së këtyre përgjimeve është në interes të të gjithëve. Jo rrallë herë, gjatë kësaj periudhe, mediat shfrytëzuan kuriozitetin e publikut për sa më shumë ndjekës, duke përcjellë edhe informacione joprofesionale.

Titulli i tekstit që recensojmë “Prokurori special e çon Gruevskin pas hekurave!” të len të kuptosh që prokurori tashmë ka filluar punë dhe ka ngritur akuzat dhe kërkon që kryeministri për akuzat e ngritura për keqpërdorim detyre të gjendet “pas hekurave”, siç thotë titulli. Por jo, kjo nuk është e vërtetë. Pala e akuzës, (LSDM), thjesht ka bërë publike akuzat e saj dhe i ka dorëzuar ata në prokurori por prokurori special (siç pretendon gazetari) akoma nuk është emëruar.
Duhet treguar kujdes për saktësinë e informacionit, sidomos kur ngrihen akuza serioze, por edhe kur bëhet fjalë për çështje që kërkojnë më shumë shpjegime. Në rastin konkret prokuroria po ndërmerr një hetim, por nuk bëhet fjalë për prokurorin special që do të duhet të emërohet, për të cilin partitë politike ranë dakord, si pjesë e tejkalimit të krizës politike.

Vendosja e një “!” në fund të titullit nuk e ul përgjegjsinë e asaj që konkludon vetë gazetari në titull.

Teksti i lajmit është ndërtuar mbi disa deklarata të kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, por as ai vetë nuk sjellë në konkluzionin që sjellë vetë gazetari në titull. Lajmi është i njëanshëm duke përfshirë vetëm palën e akuzës dhe jo edhe palën ndaj së cilës ngriten akuzat dhe kjo përshkak së deklaratat janë dhënë gjatë një interviste.

Ndër pikat e Marrëveshjes së liderëve politik në Maqedoni që u arrit më 2 qershor, për rastin e përgjimeve thuhet:

“Me efekt të menjëhershëm, nuk do të ketë publikime të mëtejme të çfarëdo materiali të përgjuar. Pas kthimit të LSDM në Parlament, të gjitha materialet që ka në posedim LSDM-ja ose kush do tjetër, do t’i dorëzohen Prokurorit Publik për veprim të menjëhershëm.”

Teksti origjinal është marrë nga lajmpress.com (dhe i njëjti është cituar), ku është publikuar me titullin “A mundet prokurori special të çojë Gruevskin pas hekurave?” me çka të len të kuptosh se ngrihet në diskutim si çështje por në këtë rast gazetari nuk konkludon personalisht.

Lajme të ngjashme

Back to top button