Haraçina sërish mbetet pa shkollë të mesme

Banorët e Haraçinës janë të zhgënjyer pasi që shumë herë u premtua që në këtë komunë do të ndërtohet një shkollë e mesme dhe një gjë e tillë nuk u realizua.

Ata shprehen të habitur se si është e mundur që të ndahen mjete financiare dhe të vihet projekti në platformën politike të BDI-së dhe më pas të thuhet se jo më mirë është të ndërtohet shkolla ne Hansanbeg.

“Nuk e dimë se ­çfarë po ndodh, po luajnë me neve si duan, njëherë thonë do ndërtohet shkollë, më pas bëhet projekti dhe ndahen mjete kurse vetë ministri i arsimit, Abdilaqim Ademi thotë se do të ndërtohet shkollë e mesme në Hasanbeg, sido që të jetë mjafton që fëmijët tanë të mos udhëtojnë deri në veri të Shkupit për të ndjekur mësimin, është shumë larg”, tha R.Z., nga Haraçina.

Deri më tani banorët nuk kanë asnjë njohuri se si do të bëhet çështja e shkollës.

“Ishim prezent në inaugurimin e renovimit të shkollës fillore ’25 Maj’, aty ku edhe ministri tha që do shqyrtohet mundësia për shkollë të mesme dhe se do të bisedojë me banorët, gjë që nuk u realizua. Fëmijët e këtij rajoni sërish do udhëtojnë një orë për të ndjekur mësimin në shkollë të mesme. Kjo është e tmerrshme, s’ka asnjë komunë maqedonase pa shkollë të mesme në afërsi prej gjysmë ore, vetëm shqiptarët vuajnë për shkollim në shekullin 21”, tha T.T. nga Hasanbegu.

Nga zyra për informim e MASH-it thonë për Portalb se në planin e investimeve kapitale për vitin 2015, nuk ka asnjë projekt për ndërtimin e ndonjë shkolle të mesme as në Hasanbeg dhe as në Haraçinë.

” Në planin e investimeve kapitale për vitin 2015, nuk ka asnjë projekt për ndërtimin e ndonjë shkolle të mesme as në Hasanbeg dhe as në Haraçinë mundësitë financiare të MASH-it janë të tilla që nuk i lejojnë zgjerimin në ndërtimin e shumë e shkollave të reja”, thonë nga MASH-i.

Ndërkaq në platformën e BDI-së, ndër projektet që do të realizohen është edhe shkolla e mesme në Haraçinë për të cilën janë ndarë 123 milion denarë dhe afati i përfundimit është parashikuar të bëhet në vitin 2017.

Rreth 300 nxënës çdo vit përfundojnë shkollën fillore dhe për të vijuar mësimin shkojnë deri në lagjet Veri, Karposh dhe Çair për të ndjekur mësimin sepse kryesisht në këto lagje ndodhen shkollat në gjuhën shqipe, thonë për Portalb banorët./ Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button