Tendencë manipulimi me rezultatet e anketimeve
Recension: IRI: PDSH, rejting më të lartë se BDI
Anketimet zgjojnë interes të theksuar tek publiku. Por mediet nuk duhet t’i botojnë pa kontekstet dhe verifikimet e duhura. Një gjë e tillë nuk përputhet me standardet profesionale.
Linku deri te artikulli origjinal: IRI: PDSH, rejting më të lartë se BDI
Data dhe koha e publikimit: 19.07.2015
Data e recensionit: 21.07.2015
Recensues: Benjamin Arifi
Prezantimi i të dhënave nga anketimet rrezikojnë të kenë tendencë politike kur nuk prezantohen qartë. Teksti që po recensojmë merr guximin të shtrembërojë me tendencë rezultatet e anketës së bërë nga IRI, e bërë publike tashmë. Rezultati i kësaj ankete demanton që në fillim titullin e këtij teksti: ku sipas anketës, BDI kishte 7% rejting, përballë 3% të PDSH-së.
Jo vetëm aq, por titullin e përgënjeshtron edhe vetë teksti në vijim.
“Partia Demokratike Shqiptare(PDSH), numri i votuesve të papërcaktuar dhe një përqindje e ultë e partisë RDK sipas anketës së fundit të Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI), së bashku kanë rejtingun 9 %, 2 % më të lartë se Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), parti e cila sipas IRI-t ka rejtingun 7 %, raporton portali ExPress.mk”
Teksti gjykon votimin e një numri të madh të qytetarëve që janë deklaruar si të papërcaktuar, ndërsa përvetëson edhe votat e një partie tjetër autonome, në këtë rast RDK-së.
Teksti duket që është frymëzuar nga informacioni që gazeta Lajm e botoi nga burimet e saj, por më pas është modifikuar me tendencë duke mos e cituar botimin e lajmit.
Keqpërdorimi i gazetarisë për qëllime të tjera përveç informimit të drejtë të publikut shkel rëndë normat dhe etikën gazetareske si dhe misionin e këtij profesioni fisnik.