Shfuqizimi i lustrimit kaloi fazën e parë në Kuvend

Kuvendi i dha dritë jeshile fazës së parë të shfuqizimit të ligjit për lustrim. Për deputetin e VMRO-së Ilija Dimovski, ligji i lustrimit u zbatua në mënyrë efikase me ndihmën edhe të partive shqiptare, ndërkohë që i cilësoi si tendencioze kritikat e vazhdueshme të LSDM-së për procesin e lustrimit.

“Vullneti i mirë i VMRO DPMNE-së dhe dora e shtrirë nga ana e VMRO-së dhe nga dy partitë shqiptare të cilat përgjithësisht së bashku e zhvilluan idenë për lustrim në Maqedoni, u keqpërdor nga pasardhësit e forcave të majta në Maqedoni..prandaj të gjithë veprimet jologjike dhe kritikat që u drejtuan në procesin e lustrimit ishin të nxitura nga e majta dhe të keqpërdorura nga e majta”, u shpreh Ilija Dimovski, VMRO DPMNE.

Sipas deputetes Roza Topuzova Karevska, procesi i lustrimit ishte selektiv dhe dëmtoi akoma më shumë qytetarët.

“Shfuqizimi i këtij ligji nuk ka rëndësi, dhe është mirë që do të ndërpritet të vlejë, nuk e përmbushi qëllim, ligji ekziston formalisht, bëhet përzgjedhje kush do të lustrohet, mbivotohet, nëse mbivotojnë se për dike edhe pse ka dëshmi nuk lustrohet, për tjetrin që nuk ka bazë të lustrohet vendoset në shtyllën e turpit, dhe në vend që të rregullojmë një padrejtësi historike, ne bëmë  edhe një padrejtësi tjetër historike”, deklaroi Roza Topuzova Karevska, deputete e pavarur.

Për deputetin e BDI-së Rafiz Aliti ligji edhe pse ishte i mirë, Komisioni dështoi në zbatimin efikas të tij, sidomos sa i përket zbardhjes së emrave që kanë përndjekur dhe likuiduar shqiptarët.

“28 mijë shqiptarë janë mbajtur nëpër burgje, një pjesë e tyre as që kanë arritur të kthehen te familjet e tyre, kush i dërgoi, përse i dërgoi..një pjesë u likuidua nëpër burgje dhe ne nuk kemi arritur me këtë ligj të lustrimit të zbardhim së paku qofshin ato emra edhe në mesin e të vdekurve që kanë sjell ato vendime..mendoj se ne si shtet duhet të kërkojmë që dosjet të merren prej Beogradi, që të bëhet një lustrim i mirëfilltë në Maqedoni”, tha Rafiz Aliti, BDI.

 

Propozim/ligji për ndërprerjen e ligjit për lustrim parashikon që ndalesa për kryerjen e funksionit publik për personat e lustruar deri tani, të vlejë vetëm 5 vjet nga dita e fuqizimit të vendimit të Komisionit për lustrim. Lustrimi përfundimisht të ndërpritet më 1 shtator dhe me të ndërpriten edhe procedurat dhe lëndët që nuk kanë arritur të procedohen nga Komisioni deri në atë periudhë. Komisioni për verifikimin e fakteve do të veprojë deri sa lëndët e shqyrtuara të marrin vendimin final edhe nga instancat e tjera gjyqësore, dhe pas kësaj me një vendim të veçantë në Kuvend do të përfundojë edhe mandati i lustratorëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button