Komitetit i Helsinkit: Shtohen incidentet si pasojë e urrejtjes etnike

Gjatë vitit 2014 janë regjistruar gjithsej 87 incidente si pasojë e urrejtjes, prej të cilëve 53 në baza etnike. Në raportin vjetor të Komitetit të Helsinkit thuhet se policia ka neglizhuar procedimin e rasteve drejtë gjetjes së autorëve të krimeve. Uranija Pirovska, thotë se institucionet për zbatimin e drejtësisë kanë mbyllur dyert dhe nuk tregojnë vullnet për menaxhimin e kësaj çështjeje.

“E kam patjetër të potencoj se ajo që ne konstatuam gjatë qasjeve tona deri tek gjykatat, Prokuroria dhe Ministria e Brendshme. Nxorëm një përfundim, se shteti ende nuk tregon gatishmëri dhe vullnet të ballafaqohet me përgjegjësi ndaj këtyre incidenteve dhe veprave penale të nxitura nga urrejtja”, tha Uranija Priovska, Kryetare e Komitetit të Helsinkit, njofton Alsat-M.

Përveç urrejtjeve që kanë pasuar me sulme fizike dhe incidenteve nga tifo grupet, nëpër autobusë dhe në shkolla, sipas Komitetit të Helsinkit edhe partitë politike janë indikator të incidenteve.

“Në bombat e ashtuquajtura të opozitës, dëgjuam se si Kryetari i Kuvendit i paraqitet ministres së brendshme dhe kërkon që të lirohen një pjesë e personave që ishin pjesëmarrës në protesta të dhunshme, pra të lirohen nga paraburgimi. Në të ashtuquajturat bomba, gjithashtu dëgjuam se në kohën e zgjedhjeve lokale, ka ekzistuar një koalicion i fshehtë mes partisë opozitare shqiptare dhe partisë maqedonase në pushtet dhe në atë periudhë nuk është regjistruar asnjë incident në baza etnike. E gjithë kjo neve na çon deri tek konkluzioni, apo të them më qartë se ekzistojnë dyshime se partitë politike në Maqedoni, ndikojnë në incidente, e posaçërisht kur ato ndodhin mes grupeve etnike”, u shpreh Vojsllav Stojanovski, Komiteti i Helsinkit.

Lajme të ngjashme

Back to top button